
FIER- Një prej autorëve te dyshuar për trafikim të veprave të artit dhe kulturës në kuadër të operacionit “Vlera” Shpëtim Kalemi, është banor i komunitetit rom. Pas arrestimit të tij dhe Pandeli Petanit, 57 vjeç ka reaguar kryeplaku i fshatit Drizë në Fier, Panajot Alushi.
Alushi kundërshton me forcë arrestimin e tij duke e konsideruar padrejtësi. Ai i shet në treg me një çmim tepër të lirë ka pohuar Alushi, ndaj kërkojmë ndihmën e ekspertëve për t’i verifikuar pasi këto vepra kanë kaluar peëmes doganës greke e shqiptare dhe nuk janë ndaluar si objekte të paligjshme.
Ndër të tjera Alushi tha se Kalemi, të gjitha sendet e sekuestruara i blinte në Greqi nga tregjet rome atje dhe se i ka kaluar nëpërmjet doganës ku ka dhe faturat. Alushi tha ndër të tjera se janë diskriminuar dhe dhunuar nga policia në disa raste.
"Problemi i shtetasit Shpëtim Kalemi qëndron që ai shkon në Greqi, merrte mall dhe i zhdoganonte në kufirin grek dhe ato ne i shisnim me 50-100 lekë të vjetra. Tani këta kanë vajtur pa urdhër nga prokuroria për të hapur banesën dhe unë si kryeplak i kam kërkuar urdhrin e gjykatës për të bërë kontrollin dhe më kanë larguar. U sollën sikur jemi vrasës dhe po na dënojnë pa të drejtë. Iu bëj thirrje presidentit dhe kryeministrit të ndërhyjë sepse nuk është hera e parë dhe po na dënojnë pa të drejtë, janë disa raste në fshatin tim.
Personi që po akuzohet, i merrte në tregjet rome në Greqi dhe i blente atje edhe i sillte në Shqipëri ku kalonte në dogana dhe për këtë transport ka paguar 260 euro taksa ku ka marrë dhe faturën. Policia na ka diskriminuar vazhdimisht dhe pesë anëtarë të familjes time i kanë dënuar nga 2-3 muaj dhe kam fituar gjyqin në Strasburg për dënimet e padrejta. I bëj thirrje gjykatave që të lirohet i ndaluari pasi janë sende që shiten me 100 lekë dhe ekspertët tanë nuk janë për atë punë, kërkojmë të vijnë ekspertët e huaj."-tha Alushi.
Gjatë operacionit të koduar "Vlera", në banesën e Shpëtim Kalemit dhe Pandeli Petanit u zbuluan vepra arti të cilat ishin trafikuar nga Greqia, me vlerë 1.5 milionë euro. 107 vepra arti të dyshuara të trafikuara nga shteti grek, ndër të cilat ikona dhe piktura të autorëve grekë dhe rumunë, shpata dhe sende të tjera. /ZËRI