FIER- Gjykata e Fierit ka caktuar masat e sigurisë për tre personat e dyshuar në lidhje me një skemë të tjetërsimit të pronave në zonën e Semanit.
Ish-drejtorët e Kadastrës Ertis Shehu dhe Bardhyl Kapaj do të qëndrojnë në burg, ndërsa për biznesmenin Kastriot Hasko gjykata ka vendosur ndryshimin e masës së sigurisë në 'arrest në shtëpi'.
Sipas hetimeve të Prokurorisë Hasko dyshohet se ka përdorur dy vendime të falsifikuara të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave përmes të cilave janë regjistruar sipërfaqe toke në bashkëpronësi me katër persona të tjerë.
Pas regjistrimit të pronave, ato dyshohet se janë shitur më tej te dy shoqëri.
Në kuadër të hetimit Prokuroria ka vendosur sekuestrimin e 76 pasurive, të cilat kapin një sipërfaqe totale prej rreth 1,143 hektarësh. Po ashtu janë sekuestruar edhe 150 mijë euro.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të skemës dhe përcaktimin e përgjegjësive të personave të përfshirë.
Njoftimi i plotë:
1. Vazhdimin si masë sigurimi personal shtrënguese ndaj personit nën hetim E.S., atë të “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.
2. Vazhdimin si masë sigurimi personal shtrënguese ndaj personit nën hetim P.Ç., atë të “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.
3. Vazhdimin si masë sigurimi personal shtrënguese ndaj personit nën hetim B.K., atë të “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.
4. Zëvendësimin e masës së sigurimit personal shtrëngues ndaj personit nën hetim K.H., nga masa e sigurimit “Arrest në burg” në atë të “Arrest në shtëpi”, të parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale. Masë e cila do të vuhet nga personi nën hetim në banesën e tij
5. Urdhërohet personi nën hetim të mos largohet nga adresa e banimit dhe të mos ketë kontakte me persona të tjerë përveç pjesëtarëve të familjes.
6. Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i personit nën hetim K.H., nëse nuk mbahet apo nuk duhet të mbahet për efekt të ndonjë mase tjetër sigurimi apo vendimi dënimi.
7. Urdhërohet Policia Gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.
8. Ngarkohet Prokuroria dhe Policia Gjyqësore të mbikëqyrin dhe kontrollojnë zbatimin e vendimit të masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, nga personi nën hetim K.H.
9. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë brenda 5 (pesë) ditëve, nga e nesërmja e njoftimit të vendimit./ZËRI