
BRITANI E MADHE- Vetëm 8 të burgosur shqiptarë janë rikthyer për të vuajtur dënimin e tyre në atdhe, ndërkohë që një skemë prej 8 milionë paundësh synon të kthejë 200 të tillë. Ata që ishin dënuar për vepra të rënda penale; vrasje, përdhunim, etj, ishin vendosur që të ktheheshin për të vuajtur dënimin e tyre në burget shqiptare. Sipas "The Sun", marrëveshja fillestare përfshinte 12 vrasës, 8 përdhunues dhe më shumë se 100 të tjerë të akuzaur për vepra droge dhe armë zjarri. Por më pas, lista u shtua dhe shkoi në 67 të dënuar, nga të cilët vetëm 8 janë ekstraduar.
Plani i riatdhesimit parashikon që Britania e Madhe t'i paguajë Shqipërisë 4 milionë paund në vit për të rikthyer të burgosurit e saj më të dhunshëm. Një vonesë për ta kthyer në Shqipëri u bë edhe për "mbretin e drogës", Klodjan Çopja, i cili u kthye me avion për të vuajtur dënimin e tij 17-vjeçar në një burg shqiptar. Edhe Erald Mema, i cili u dënua me 25 vjet në 2018 për rolin e tij kryesor në një operacion “të madh” të kontrabandës së kokainës, është rikthyer gjithashtu në Shqipëri.
Ai besohet se ka zgjedhur të kthehet për shkak se bordi shqiptar i lirimit me kusht mund t'i japë atij një lirim më të hershëm sesa në Britani. Të dy thuhet se mbahen në burgun e Drenovës, ku do të qëndrojnë derisa të kryejnë gjysmën e dënimit në paraburgim, siç do të kishin bërë në Britaninë e Madhe. Marrëveshja kursen rreth dy të tretat e kostos ditore prej 109 £, ndërsa një i burgosur kushton vetëm 32 £ në ditë në Shqipëri.
Por shumë të burgosur të tjerë ende nuk janë ekstraduar. Mes tyre është Ibrahim Bezati, 38 vjeç, i cili mori peng dhe përdhunoi një grua të droguar në shtator 2021. Një tjetër që pret të deportohet është vrasësi Dorian Pirija, 36 vjeç, i cili u burgos për 19 vjet në 2021 pasi planifikoi vrasjen e një rivali droge në Hartlepool. Hamaëand Ali Hussein, 30 vjeç, u godit në kokë me një armë gjahu në vitin 2019 pasi Pirjia planifikoi ta vriste atë për të zgjeruar territorin e tij.
Përdhunuesi Klodjan Samurri, 31 vjeç, gjithashtu pritet të kthehet me avion pasi sulmoi seksualisht një grua që flinte në gjendje të dehur. Ai u kap kur shoqet e saj panë shqiptarin teksa mbyllte xhinset e tij, ndërsa e reja i lutej që të largohej.
Kur u arrestua, Samurri gënjeu dhe tha se ajo kishte dhënë pëlqimin, por pretendimet e tij u rrëzuan dhe u dënua me 7 vite.
Edhe Maksim Çela po "lufton" për të mos u deportuar në Shqipëri. Sesa do t'ja dalë, kjo mbetet për t'u parë./ZËRI