
TIRANË- Kalon për gjykim çështja e ish-kryebashkiakut të Bulqizës, Lefter Alla dhe ish-zyrtarëve të tjerë të bashkisë. Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka hedhur poshtë kërkesën e Lefter Allës për pushimin e çështjes. Ndërkohë që edhe tentativat e tij për të zbutur masën e sigurisë ndaj tij, e për të kaluar në “arrest shtëpie”, duke ngritur pretendime se vuan nga zemra. Por kërkesat e tij janë hedhur poshtë nga të gjitha shkallët e gjyqësorit.
Ish-kryebashkiaku i Bulqizës dhe personat e tjerë, kryesisht ish-punonjës në bashki, kanë rënë në pranga për abuzim me tendera. Arrestimi i tyre është bërë pasi akuzohen se kanë favorizuar të afërmin e Allës, Aqif Koneshën, i cili ka kryer punimet e ujësjellësit të ri. Nga hetimet kishte dyshime të forta se kryebashkiaku Alla, në bashkëpunim me nënkryetaren e Bashkisë Lleshi, si edhe punonjësit e tjerë kanë favorizuar dy kompanitë ‘BOE Egland shpk’, dhe ‘BE-IS shpk’, gjatë procedurës së prokurorimit publik.
Kryebashkiaku Alla në bashkëpunim me zyrtarët e tjerë kanë miratuar kritere për të favorizuar dy firmat ‘BOE Egland shpk’ dhe ‘BE-IS shpk’ që morën pjesë në tender. Pasi i shpallën fituese këto firma, punimet për uijësjellësin realizoheshin nga firma ‘OE 2AF Albania shpk’. Bëhet fjalë për tenderin “Ndërtimi rrjetit furnizimit dhe rrjetit shpërndarës Ujësjellësi dhe ndërtimi i rrjetit të KUZ , Lagja e vjetër, qyteti Bulqizë, Bashkia Bulqizë”, me vlerë rreth 3 mln euro, me afat kohor 10 mujor. Kompanitë që dolën fituese të tenderit kishin si administrator Rasim Dacin, për ‘BOE Egland shpk’, ndërsa administratori i 'BE-IS shpk’, ishte Kastriot Ibrahimaj.
Ndaj kryebashkiakut Alla dhe nënkryetares Enkelejda Lleshi rënduan akuzat për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”. Ndërkohë, ndaj të afërmit të Allës, Aqif Konesha rënduan akuzat për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”. Po për falsifikim dokumentesh u akuzuan edhe dy administratorët, Rasim Daci dhe Kastriot Ibrahimaj./Zëri.ai