
ELBASAN- I plagosuri Indrit Shaqja ka treguar mënyrën sesi është vrarë shoku i tij i qelisë, Arben Lleshi nga i dënuari me burg përjetë, Sokol Mjaçaj. Në dëshminë e tij para hetuesëve të Prokurorisë së Elbasanit, ai tregon se në fillin Sokoli e kishte thirrur atë për të dalë në dritare, duke i kërkuar që të njoftonte Arben Lleshin. Në momentin që ka dalë në zgarën e dritares, është qëlluar me armën e zjarrit që vrasësi kishte mundur të fuste në burg.
PJESË NGA DËSHMIA:
Ka dalë dhe është afruar se ‘kush më kërkon’ dhe aty ka parë se ishte shtetasi Sokol Mjacaj, i cili ka thënë se ‘O Indrit, më njofto pak Ben Lleshin të dalë në dritare tek zgara se kam për t’i thënë diçka', kur është kthyer dhe ka parë në korridor të sektorit Arben Lleshin, e ka thërritur me fjalët se të kërkon Sokol Mjaca në dritare për të thënë diçka.
Mesditën e 15 dhjetorit, Mjacaj ekzekutoi Arben Lleshin brenda qelisë së tij. Pas ngjarjes ai ka tentuar të marrë peng disa familjarë të të burgosurve të tjerë në dhomën e takimeve dhe disa gardianë, por më pas është mbyllur në qelinë e tij. Ishin negociatat me drejtorin e Burgut të Peqinit ato që e bindën të vetëdorëzohet, pasi u garantua se nuk do të vritej.
Deri më tani dyshohet se shkak për vrasjen e Arben Lleshit është bërë gjakmarrja dhe se urdhri mund të ketë ardhur nga familja Hoxha, por kjo mbetet ende e pakonfirmuar pasi hetimet vijojnë. Vrasësi Sokol Mjaçaj, vuante dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çek në vitin 2015./ZËRI