Aktualitet

Të burgosurit shqiptarë, grevë urie në burgjet e Korfuzit, zbulohen kërkesat e tyre

Sipas mediave greke, shqiptarët kërkojnë personel infermieror, punonjës socialë, si dhe një mjek rezident.

k.m.
Të burgosurit shqiptarë, grevë urie në burgjet e Korfuzit,
Foto ilustruese

GREQI- Rreth 70 të burgosur të burgjeve të Korfuzit, pjesa dërrmuese e tyre me kombësi shqiptare, kanë hyrë në grevë urie. Kjo pasi kanë paraqitur një sërë kërkesash, duke përfshirë lehtësimin e kritereve të rrepta me të cilat vendosen licencat dhe lirimin me kusht. Sipas mediave greke, shqiptarët kërkojnë personel infermieror, punonjës socialë, si dhe një mjek rezident.

Një i burgosur, i cili foli me telefon për mediat shqiptare, kërkoi ndërhyrjen e ambasadës shqiptare pranë autoriteteve greke për të plotësuar kërkesat e tyre. Burime nga Administrata e Burgut të Korfuzit theksuan për median greke ERT, se lirimi me kusht ose licencat e burgut miratohen nga Këshilli i Burgjeve i kryesuar nga një prokuror dhe vendimet nuk lidhen vetëm me kriterin kohor, por marrin parasysh shumë parametra të personalizuar.

Sa i përket kërkesave për personel, është bërë një njoftim, por askush ende nuk ka shfaqur interes për pozicionet në fjalë. Megjithatë, nevojat mbulohen me turne nga mjekët, dy deri në tre herë në javë në klinikën e Burgut. Greva e urisë filloi të enjten, duke vijuar kështu prej disa ditësh./ZËRI

Poll

MOS HUMB