Aktualitet

Taksia në Shqipëri, ndër më të shtrenjtat në Europë/ Turizmi shton kërkesë, por ju ulje çmimi

Fluksi në rritje i vizitorëve ka sjellë edhe kërkesë më të madhe për shërbime transporti, veçanërisht në Tiranë, në bregdet dhe në zonat turistike.

Redaksia Zëri
Taksia në Shqipëri, ndër më të shtrenjtat në
foto ilustruese

Shqipëria renditet ndër vendet me tarifat më të larta të taksive në Europë, sipas të dhënave më të fundit të platformës ndërkombëtare Numbeo. Kostoja mesatare e një kilometri me tarifë standarde llogaritet rreth 3.7 dollarë.

Diferenca bëhet edhe më e dukshme kur Shqipëria krahasohet me vendet e Ballkanit. Sipas të dhënave të Numbeo, një kilometër me taksi në Serbi kushton mesatarisht rreth 1 dollar, në Mal të Zi afërsisht 1.2 dollarë, ndërsa në Maqedoninë e Veriut më pak se 1 dollar. Edhe në Rumani dhe Bullgari, dy vende anëtare të Bashkimit Europian, tarifat mbeten ndjeshëm më të ulëta se ato të raportuara për Shqipërinë.

Kjo do të thotë se një udhëtim prej 5 kilometrash në Shqipëri mund të kushtojë disa herë më shumë sesa i njëjti udhëtim në vendet fqinje, duke e bërë transportin me taksi një shërbim relativisht të kushtueshëm për qytetarët.

Nga ana tjetër, tarifat e nisjes së udhëtimit dhe kostot fikse nuk rezultojnë të jenë ndër më të lartat në Europë. Sipas Numbeo, Shqipëria renditet mes vendeve relativisht të përballueshme për sa i përket tarifës bazë të taksisë, çka tregon se pjesa më e madhe e kostos lidhet me tarifimin për kilometër.

Një faktor që mund të ketë ndikuar në rritjen e çmimeve është zhvillimi i shpejtë i turizmit. Vitet e fundit Shqipëria ka përjetuar një rritje të ndjeshme të numrit të turistëve të huaj, duke u kthyer në një nga destinacionet më të preferuara në rajon. Fluksi në rritje i vizitorëve ka sjellë edhe kërkesë më të madhe për shërbime transporti, veçanërisht në Tiranë, në bregdet dhe në zonat turistike.

Paralelisht me rritjen e turizmit, në treg janë shtuar edhe kompanitë dhe operatorët që ofrojnë shërbime taksie, duke zgjeruar ofertën për qytetarët dhe vizitorët. Megjithatë, pavarësisht rritjes së konkurrencës dhe numrit të mjeteve në qarkullim, Shqipëria vijon të mbetet ndër vendet me koston më të lartë për kilometër udhëtimi me taksi./ScanTV

Poll

MOS HUMB