
TIRANË- Teksa Policia e Shtetit dhe Prokuroria fle pas denoncimeve të ZËRI-t për shitjen e drogës nëpër taksi, një tjetër bëmë ka ndodhur. Një mjet i kompanisë "LuxTaxi" për pak sa nuk ka shtypur një qytetar. Denoncimi ka ardhur në adresën e ZËRI-t nga vetë i prekuri, të cilit i është rrezikuar jeta nga një shofer i papërgjegjëshëm. Mbi të gjitha, i palicensuar, pasi mjeti i tij ka targa të bardha, shenjë kjo dalluese për të gjitha makinat që kanë licensë për të ushtruar detyrën në shërbim të qytetarëve. I shqetësuar dhe i traumatizuar nga ajo që kishte ndodhur, qytetari merr menjëherë në telefon kompaninë për t'u ankuar për taksinë numër "216". E si përgjigje? Merr vetëm tallje.
Madje në denoncimin e tij, ai zbulon se vetëm një javë më parë, fenomeni i shitjes së drogës vazhdon, ndaj edhe kompanisë i ishte bllokuar një mjet në Komisariatin nr.1 të Tiranës. Ngjarje për të cilën, Policia nuk ka denjuar që të njoftojë ashtu siç bën rëndom për çdo "spaçator", të cilëve u dedikon njoftime të posaçme.
"Isha duke kaluar tek vijat e bardha dhe kjo taksia po ecte, dhe ishte duke ecur shumë keq. Ishte i alkoolizuar shoferi. I them taksistit, të lutem më prit që të vijë Policia e Shtetit, më tha kam klientin. I thashë prit se je duke u larguar nga vendngjarja. Marr në telefon kompaninë e "Lux Taxi" dhe i them që të më lidhin me menaxherin për të raportuar këtë rast. Ai personi i tyre ishte duke qeshur. Ata kanë qenë 1 javë më parë tek Komisariati nr.1 për drogë. I kishin gjetur hashash dhe i kishin bllokuar një mjet. Tani unë ndodhem tek Komisariati nr.1 për të bërë kallëzim. është rasti i disatë që komunikojnë shumë keq. Nuk merren masa. Unë dua ta publikoj. Kam qenë mu tek rruga e Elbasanit, përballë me Lagunën,"-rrëfën ai për ZËRI, por ka preferuar që të identifikohet vetëm me inicialet L.SH. (Emri është i njohur për median tonë)
Fatmirësisht biseda mes tyre nuk ka qenë vetëm zanore, por edhe me mesazhe, ku qytetari i kërkon numrin e menaxherit, por nga ana tjetër merr vetëm tallje. Madje edhe kur i denoncon se do të shkojë në Policinë e Shtetit. Në këtë pikë, duket të sigurtë që nuk i shqetëson asgjë pasi me shtetin e kanë ujdinë në rregull, edhe e kanë nxitur qytetarin që të shkojë e ti denoncojë.
BISEDA MES TYRE:
Denoncuesi: Si mor? Me kë kujton se flet? Më jep emrin e shoferit pak dhe do e shikojmë. Djali me menaxherin kur do më lidhësh?
Taxi Lux: Arsyeja?
Denoncuesi: Ou!? Arsyeja?! Okej se flasim pra. Shikoje ti, ta dërgoj targën në Polici
Taxi Lux: Më thuaj arsyen se përse do të flasësh me menaxherin. Pse çfarë të bëri shoferi që do e dërgosh në Polici ti?
Denoncuesi: Shumë se po raportoj edhe se keni drogë. Targa 216 do të dërgohet në sallën operative të Policisë së Shtetit.
Taxi Lux: Shumë mirë do bësh sepse do na ndihmosh shumë. Na raporto
Deri më tani, qytetari edhe pse ka bërë një denoncim, ende nuk është marrë asnjë masë. Fenomeni që të gjithë e paskan ditur, e që ZËRI e provoi me zë dhe figurë, ende nuk po trajtohet siç duhet. Kusurin e vuajnë vetëm qytetarët që ndonjëherë thjesht ecin në rrugën e tyre. Për denoncuesin ishte një ditë me fat, shpëtoi, po për të radhës? Kur do reagojë Policia?/ZËRI