TIRANË- GJKKO ka mbajtur sot seancën e radhës për dosjen "Plumbi i Artë", ku është vijuar me dëshminë e biznesmenit Lulzim Mashës, i cili i shpëtoi një atentati në vitin 2022. Masha ka rrëfyer detaje nga atentati në mes të qytetit, i cili deklaron se nuk e lidh ngjarjen me asgjë, pasi nuk ka asnjë konflikt.
Momentet e tmerrit për Mashën kanë nisur teksa po shkonte si zakonisht në shkollë. Për fatin e tij të mirë, ai thotë se ka parë nga pasqyra e makinës një djalë që po mbushte armën, i cili ndodhej në trotuar dhe po priste tek një kthesë e fortë ku ulet shpejtësia.
Masha rrëfen se atë ditë ndodhej vetëm në makinë, ndonëse zakonisht shoqërohej nga bashkëshortja e tij. Lidhur me atentatin, ai instiston se nuk njeh as personin që e sulmoi dhe as nuk është i përfshirë në ndonjë konflikt, ndërsa shton se nuk e njeh Suel Çelën. Po ashtu, ai sqaron se në dijeninë e tij, as djali i tij, i cili është pronar binzesesh dhe një shkolle në Tetovë, nuk ka pasur ndonjë borxh apo konflikt.
“Unë përdor një Benz ML prej shumë vitesh, po shkoja si zakonisht te shkolla kur dëgjova 2-3-4 krisma. Nuk e kuptova çfarë ndodhi, e pashë nga pasqyra që një djalë i gjatë po mbushte armën. Unë e ktheva makinën dhe thashë: ‘Çfarë ndodhi?’ Ai iku me vrap. Lajmërova policinë sepse pashë gëzhojat në vendngjarje. Nuk kam pasur asnjë konflikt me njeri apo ndonjë shqetësim. Zoti deshi që shpëtova dhe jam këtu sot të dëshmoj. Si i thonë, jetgjati nuk bëhet, jetë e shkurtër.
Isha vetëm në makinë, plumbat ishin nga krahu i shoferit tek tranversa e derës. Nuk e lidh dot këtë ngjarje me asgjë. Jam njeri i rregullt, nuk di kujt t’i vë emër, nuk njoh asnjë nga këta persona. Në trotuar, kur më qëlluan, ishin dy topografë që po masnin rrugën. Shumicën e rasteve shkoj me bashkëshorten në punë; atë ditë, si rrallë herë, isha vetëm.
Atentatori po më priste tek një kthesë e fortë ku ulet shpejtësia. Ai po rrinte te trotuari kur ecin njerëzit për vrap, sport. Nuk kam kujt as 1 euro borxh. Djali im, Adriani, ka bizneset e veta dhe një shkollë në Tetovë. Ditën e ngjarjes ai ishte këtu në Tiranë. Jetonte mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ai është shumë i rregullt, nuk ka vese. Në dijeninë time, nuk ka pasur asnjë konflikt apo borxh, kurrë. Suel Çelën se njoh as, se kam takuar ndonjëherë, vetëm çfarë kam dëgjuar në TV”, citohet të ketë dëshmuar Masha në GJKKO.
Lulzim Masha u shpëtoi plumbave në zonën e Liqenit Artificial në Tiranë teksa udhëtonte me mjetin e tij tip “Mercedes Benz”, të llojit "ML". Drejt tij u qëllua disa herë nga personi që tashmë është vënë në pranga, Skerdi Tase, por asnjë nga plumbat nuk e kapi. Ngjarja e mbyll me vetëm dëme materiale në mjetin e Mashës. Vetë ky i fundit dëshmoi se nuk kishte konflikte me askënd, por Dumani tregoi se kishte marrë udhëzime nga Çela për organizimin e atij atentati dhe të një tjetri të zhvilluar në Elbasan për eliminimin e Elton Kilës./ZËRI