
TIRANË-Sot Kombëtarja Shqiptare do të zhvillojë sfidën përballë Andorrës. Ndeshja do të zhvillohet në orën 20:45 në 'Arenën Kombëtare'. Policia e Shtetit ka njoftuar planin e masave të ndërmarra për mbarëvajtjen e ndeshjes së sotme Shqipëri-Andorra.
Sipas njoftimit masat konsistojnë në eskortimin dhe sigurimin e futbollistëve të ekipit të Andorrës, nga aeroporti i Rinasit, në hotel, në stadium dhe në kthim për në Rinas, eskortimi dhe sigurimi i futbollistëve të ekipit të Shqipërisë, në stadium.
Policia thotë se për të parandaluar futjen e sendeve të kundraligjshme në stadium si lëndë piroteknike e flakadanë e sende të tjera shërbimet e Policisë do kryejnë kontrolleve të hollësishme në mjediset e stadiumit dhe brenda stadiumit, para se të futen tifozët.
Njoftimi i policisë:
Me qëllim garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit, jo vetëm pranë stadiumit, por edhe kontrolli i territorit në të gjithë qytetin e Tiranës, janë parashikuar planëzime të shërbimeve nga Patrullat e Përgjithshme, Shqiponjat, Policia Kriminale, Policia Rrugore dhe Forca Kombëtare e Sigurisë, të cilat do të kenë si prioritet dhe sigurimin e rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës dhe menaxhimin e trafikut rrugor.
Për të garantuar sigurinë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare, është bashkëpunuar me të gjitha institucionet që kanë rol në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, konkretisht me Federatën Shqiptare të Futbollit dhe UEFA-n me Gardën e Republikës, Policinë Bashkiake, Shërbimin Zjarrfikës, Shoqëritë private të sigurisë (stjuartët dhe personeli i sigurisë), Spitalet, qëndrat shëndetësore dhe ato të ndihmës së parë.
Gjithashtu, janë vendosur kontakte dhe po bashkëpunohet dhe me personelin e shërbimit të sigurisë të ekipit të futbollit të Andorrës, në funksion të rritjes së standardeve të sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare", thuhet më tej në njoftim.
Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, si dhe për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve në qytetin e Tiranës, ditën e nesërme, nga ora 15:00 deri në përfundim të ndeshjes, do ketë kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit.
Rrugët që do të bllokohen:
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi i Presidencës drejt sheshit “Nënë Tereza”
Rruga “Papa Gjon Pali II”
Rruga “Dervish Hima”, pranë ambasadës së SHBA-së
Rruga “Asim Zeneli”, pranë ambasadës së SHBA-së
Rruga “Themistokli Germenji”
Rruga “Gjergj Filipi”
Rruga “ Lekë Dukagjini”, nga ish-Garda e Republikës deri te stadiumi
Rruga “Faik Konica”
Rruga “Skerdilajd Llagami”