
TIRANË- Shtyhet për një ditë tjetër mbledhja e Konferencës së Kryetarëve. Takimi, i cili u lajmërua se do të ndodhte sot për të përcaktuar objektin e dy Komisioneve Hetimore është shtyrë për një ditë tjetër. Lidhur me shtyrjen, nuk ka asnjë sqarim as nga Partia Socialiste dhe as nga ajo Demokratike. Ndërkohë që nga Kuvendi, raportohet se shkak për shtyrjen janë bërë konsultimevet brenda-partiake që ende vijojnë.
"Të nderuar anëtarë të Konferencës së Kryetarëve, Ju njoftojmë se: Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve e njoftuar për sot shtyhet për një ditë tjetër. Konsultimet vijojnë. Punë të mbarë!,"- njofton Kuvendi. Ndaj edhe mbledhja është shtyrë për t'u zhvilluar një ditë tjetër, edhe pse ende nuk ka një datë.
Demokratët u ulën dje për herë të parë që nga tetori në Konferencën e Kryetarëve, duke arritur dakordësi me socialistët për ngritjen e dy komisioneve hetimore; atë për rrjedhjen e të dhënave nga sistemi TIMS dhe per koncesionet në shëndetësi. Po ashtu, është rënë dakord për ngritjen e një nënkomisioni për Reformat, që do të përbëhet nga 4 anëtarë, dy nga secila palë. Pas mbledhjes, Bardhi tha për mediat se Komisionet Hetimore do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe jo ligjin e ri të kaluar nga maxhoranca në Kuvend për komisionet Hetimore. Ky i fundit është ankimuar në Gjykatën Kushtetuese./ZËRI