Aktualitet

Sot 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës, politikanët “bëhen bashkë” urojnë qytetarët: Nderojmë 39 martirët!

Kryeminstri Edi Rama përmes një postimi në Facebook ndau foto të nxënësve të shkollave të veshur me flamurin kuqezi.

I.F
Sot 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës, politikanët
80-vjetori i çlirimit të tiranës

TIRANË- Tirana feston sot 80-vjetorin e Çlirimit nga pushtimi nazi-fashist. Kryeminstri Edi Rama përmes një postimi në Facebook ndau foto të nxënësve të shkollave të veshur me flamurin kuqezi.

“Sot, 80-Vjetori i Çlirimit të Tiranës! Aktivitete të nxënësve të shkollave të kryeqytetit, me rastin e Ditës së Çlirimit të Tiranës,”- shkruan kryeministri Rama.

Ndërsa kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se vendi ynë është më i fortë dhe Tirana është një qytet më i zhvilluar. Ai po ashtu i bëri thirrje qytetarëve që tq bashkëpunojnë në zhvillimin e qytetit. Më tej Veliaj shtoi se sot vazhdon një tjetër luftë në Tiramë, ajo ndaj një armiku që e mbajnë peng zakonet e kaluara.

“80 vjet më pas, Tirana dhe Shqipëria janë më të forta se kurrë! Para dy vitesh Tirana mbajti titullin Kryeqyteti Europian i Rinisë, vjet ishte Qyteti Europian i Sportit, ndërsa vitin tjetër do të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut. Falë atij çlirimi dhe dinjiteti, sot Tirana është më Europiane, më e zhvilluar dhe më e përparuar se kurrë më parë. Sot ne festojmë lirinë, por njëkohësisht reflektojmë për përgjegjësinë tonë si qytetarë, për të mbrojtur dhe zhvilluar këtë trashëgimi të çmuar. Le të jetë kjo ditë një kujtese e përhershme se sakrifica dhe uniteti janë çelësi për një të ardhme më të ndritur. Një tjetër luftë vazhdon sot. Lufta ndaj një armiku që nuk ka uniformë dhe as armë, por që ngjitet si një hije e së shkuarës në mendësitë e vjetra dhe zakonet që na mbajnë peng. Sot, barrikadat nuk janë më prej karrocash, karrigesh apo mobiliesh të vjetra, por prej frikës dhe hezitimit për të ndryshuar e për të përqafuar progresin. Fasadat e dëmtuara nuk janë më nëpër rrugë, por në mendjet tona, ku shpesh mbajmë të pandryshuara besimet që i përkasin një kohe tjetër. Si atëherë, kjo është një betejë rrugë më rrugë, ide më ide, mendje më mendje dhe zemër më zemër. Si atëherë, kërkon guxim për të ngritur flamurin e një të ardhmeje më të mirë se sa e sotmja,”- tha Veliaj.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali gjithashtu mbajti një fjalim ku tha se lufta për Tiranën dhe çlirimi i Shqipërisë është një testament historik për orientimin e shoqërisë shqiptare për të bërë zgjedhjet e duhura.

“Antifashizmi është një nga vlerat më të mëdha të qytetetërimit europian të së shkuarës së afërme dhe një nga garancitë më solemne të së ardhmes. Shqipëria është rreshtuar sot nën anën e duhur të historisë, duke zgjehdur dritën mbi errësirën, të drejtën përpara forcës së egër, lirinë dhe sakrificën, për liri bazuar në vlerat më të mira të njerëzimit. Shqipëria europiane, të cilës i jemi përkushtuar me premtimin se për pak vjet do ta bëjmë anëtare të denjë të Bashkimit Europian, është padyshim pjesë e këtij testament historik me rrënjët në Shqipërinë antifashiste,”- deklaroi Spiropali.

Nga ana tjetër edhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha mbajti një fjalim ku tha se 17 nëntori është dita kur nderojmë 39 viktima të masakrës tetor-nëntor.

“17 nëntori shënon zëvendësimin e një pushtimi të huaj, me një pushtim të egër, barbar, të brendshëm që do të zgjaste, jo 1 apo 2 vite, por do të zgjaste 46 vite. Me 17 nëntor banda terroriste e Enver Hoxhës, e shndërruar totalisht në vegël të Beogradit, do të vendoste në Tiranë pushtetin e saj, pasi kishte shndërruar luftën e shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar, në një luftë vëllavrasëse antikombëtare. Ne sot, nderojmë 39 viktima të masakrës tetor-nëntor. Në fakt ato janë mbi 100.  Nderojmë një nga masakrat, aktet terroriste më të shëmtuara të regjimit, e projektuar nga të dërguarit e Beogradit, dhe përfaqësuesi i tyre në Shqipëri, Enver Hoxha. E ekzekutuar nga terroristët Kristo Themelko, Beqir Balluku dhe banda të tjera.

Heronjtë e kësaj masakre ishin atdhetarë, të cilët kishin luftuar kundër pushtuesve, ose kishin ndërgjegje të pastër, të qetë, dhe asnjë motiv për tu larguar dhe për të mos i shërbyer vendit dhe kombit të tyre. Natyrisht ata ishin të papajtueshëm me ideologjinë çnjerëzore, komuniste. Ata ishin pasardhës të familjeve që kishin firmosur pavarësi, që kishin luftuar dhe dhënë kontribut thelbësor në ndërtimin e shtetit shqiptar. U vra në mënyrën më tinëzare, më mizore, më barbare. Në pragun e derës së shtëpisë së vet. Të mbledhur në Bristol dhe të ekzekutuar në një bodrum, të hedhur në Priskë në lum, masakra e tetor-nëntorit është një masakër makabre, të cilën vetë ata që e kryen e shpallën akt terrorist, por qyteti u përgjak. Vazhduan për 46 vite me radhë ekzekutimin e armiqve të tyre, qëndrestarëve, heronjve të fjalës së lirë, besimit tek Zoti dhe besimit tek Shqipëria,”- tha Berisha.

Po ashtu edhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi mbajti një fjalim ku tha se sot është edhe një ditë reflektimi për ti rikthyer Tiranës lirinë e marrë peng nga uzurpatorët dhe kolonizatorët e këtij qyteti.

“Me krenari të ligjshme, me mirënjohje dhe nderimin me te thellë, po kujtojmë sot një nga ngjarjet më të mëdha të luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, 80- vjetorin e Çlirimit të Tiranës. Mirënjohje për të gjitha familjet e Veteranëve, të cilët trashëgojnë brez pas brezi vlerat e luftës Antifashiste. Gjithashtu dua të theksoj se sot është edhe një ditë reflektimi, në veçanti për të rinjtë dhe të rejat e Tiranës dhe të mbarë vendit, për të marrë në dorë fatet e tyre me përgjegjësi, me më shumë angazhim, për ti rikthyer Tiranës lirinë e marrë peng nga uzurpatorët dhe kolonizatorët e këtij qyteti. Mirënjohje dhe nderim për gjakun e derdhur për çlirimin e Tiranës, mirënjohje për sakrificat e popullit të Tiranës, që 80- vite më parë i kthyen shtëpitë, i kthyen barrikadat në fortesa të pathyeshme në luftën kundër pushtuesit Nazi-Fashist,”- tha Blushi. /ZËRI

Poll

MOS HUMB