
TIRANË-Sot është 7 Marsi, festa e Mësuesit në Shqipëri, e cila festohet në të gjitha shkollat dhe universitetet. 7 Marsi është një ditë simbolike për të kujtuar e vlerësuar mësuesit për përkushtimin e tyre në mësimdhënie dhe në përgatitjen e brezave të ardhshëm.
Dita e Mësuesit përkon me hapjen e Mësonjëtores së parë Shqipe në Mars të vitit 1887 në Korçë, pikërisht në një kohë kur shqiptarët mësonin shqip fshehurazi në shtëpitë e tyre, për shkak të sundimit Osman.
Mësonjëtorja e Korçës ka qëndruar e hapur për të paktën 20 vite dhe drejtues të saj ishin figurat e shquara të Rilindjes shqiptare. Festa e 7 Marsit, u përforcua më shumë gjatë periudhës komuniste. Ajo ishte dita më e shënuar për mësuesit. Ishte një traditë e bukur, kur nxënësit zgjidhnin përfaqësuesit e tyre më të mirë, të cilët shkonin për vizitë në shtëpinë e mësuesit.
Festa e mësuesit organizohet në shkollë, me koncerte dhe aktivitete të ndryshme. Mësuesi i priste me gjithë të mirat, me ëmbëlsira e fruta, ndërsa dhuratat e nxënësve ishin shumë simbolike: lule ose libër. Sot tradita ka ndryshuar ku përveç luleve, dhuratat janë nga më të dryshmet./ZËRI