Aktualitet

SKEMA- Si u 'përpinë' 500 mijë m2 tokë në Durrës

E gjithë skema është zbuluar në shkurt 2023, kur një denoncues u paraqit para prokurorit Pali Deçolli në Durrës dhe kallëzoi se një sipërfaqe toke, për të cilën ai dhe të afërm të tij pretendojnë pronësinë dhe janë në një proces gjyqësor në Gjykatën e Lartë.

k.m.
SKEMA- Si u 'përpinë' 500 mijë m2 tokë në
Ardit Kërtushi

TIRANË- Ardit Kërtushi është "strumbullari" i gllabërimit të 448 mijë metra katorë tokë shtet në Durrës. Dosja e publikuar sot në media tregon qartë impaktin që Kërtusha ka pasur duke ndërhyrë në dy raste për përfitimin e pronës së shtetit, duke ia kaluar privatit. Madje në një rast, kalimi bëhet tek një person që ka ndërruar jetë që në vitin 2003. E gjithë skema është zbuluar në shkurt 2023, kur një denoncues u paraqit para prokurorit Pali Deçolli në Durrës dhe kallëzoi se një sipërfaqe toke, për të cilën ai dhe të afërm të tij pretendojnë pronësinë dhe janë në një proces gjyqësor në Gjykatën e Lartë, dikush e kishte rrethuar me mure betoni. Tokën e kishtë në Spitallë, por nuk dinte se kush ia kishte zabtuar. Pikërisht kjo pronë ishte shitur 2 herë dhe blerësja më e fundit ishte një kompani që kishte bërë rrethim dhe shtrim me çakull. 

TOKA E LIRIM XHAMETËS

Hetimet e Prokurorisë së Durrësit zbuluan se toka me sipërfaqe 75 mijë metër katror, e cila rezultoi në pronësi të Lirim Xhametës, në fakt nuk ishte fare e tij, por ishte blere me dokumenta të falsifikuara. Në vitin 2018, një ish-punëtor ferme i quajtur Lirim Xhameta u kontaktua nga një person me emrin "Diti", i cili i premtoi se do t'ia bënte ai dokumentat për të përfituar 3 mijë metra katrorë tokë në Spitallë. Prona në fakt është pranë Universitetit "Aleksandër Moisiu". Si ndodhi blerja? Përfaqësues të familjes Xhameta dhe Gjovalin Ndoci kanë nënshkuar një prokurë në Noteri. Në dokumentin e firmosur, autorizohet Ndoci që të shesë pronën 75 mijë metër katror, një pronë që në fakt nuk e kishin. Vetë familja dha firma në këmbim të 200 mijë lekëve të vjetra që ua dha "Diti", pra Ardit Kurtushaj. 

"Ai na tha që të nënshkruanim tek noteri edhe ne shkuam,"-ka dëshmuar Lirim Xhameta. Mirëpo pasuria kaloi dhe Gjovalin Ndoci e ndau dhe e shiti në 4 pjesë, duke futur në xhepin e tij 17 milionë lekë.

Akti i marrjes së tokës në pronësi në emër të Xhametës "ka ndodhur" që në qershor 1999, por ky dokument është i falsifikuar dhe vetë Lirim Xhameta pretendon se nuk ka asnjë dijeni se ka përfituar tokën si ish-pronar. Por regjistrimi i kësaj toke është futur në arkivën e Kadastrës së Durrësit në vitin 2019, në numër reference të vitit 2010. Se kush e regjistroi ende nuk dihet, pasi 2 të pyeturit nga Prokuroria e Tiranës, Shpresa Kaloshi (plotësuese e inventarit) dhe kryeregjistruesi Bedri Luku pretendojnë se nuk e kanë nënshkruar. Por po ashtu, nuk dihet se kush ka falsifikuar edhe rivlerësimin e pronës, duke e bërë që të kapte vlerën totale prej 270 milionë lekësh.

Tani prona duhet që të regjistrohej dhe për këtë u kujdes, Gjovalin Ndoci. Fillimisht dërgoi dokumentet në noteri dhe më pas në  ka dorëzuar fillimisht te noteri dhe më pas në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës. Certifikata e pronësisë dhe harta ishin të falsifikuara si të ishin të vitit 2010, por nuk kishin datë regjistrimi. Për këtë detaj janë kujdesur juristi Mikel Zako dhe hartografi Malvino Turku, të ngarkuar nga përgjegjësia e zonës Albana Gjoni. Të gjitha veprimet i kanë kryer brenda ditës. 

"Ndoci ka dëshmuar se ai u përfshi në këtë histori me premtimin që të bënte para nga shit-blerja e pronave, prej një punonjësi të OSHEE-së, i identifikuar si i ndjeri Henkel Q. Ai tha se Henkel Q., e kishte njohur kur ai “punonte pranë OSHEE dhe në disa takime partiake”,-shkruhet në dosjen e Prokurorisë. 

Nga e gjithë kjo që ka ndodhur Lirim Xhameta pretendon se ka marrë vetëm 200 mijë lekë, e shton se tokën e ka parë kurrë, por me të 'thënë' e kishte se bëheshin fjalë për 3 mijë metra. Jo më shumë! Por për Prokurorinë, Lirim Xhameta, bashkëshortja e tij dhe i biri, kanë qenë në dijeni të kësaj skeme dhe kanë përfituar më shumë para sesa pretendojnë. Por sesa, ende nuk e kanë mundur që ta provojnë!

TOKA E TË NDJERIT

E njëjta skemë, e kalimit dorë të pasurisë është përdorur edhe për Dilaver Taullën. Vetëm se ky i fundit është ndarë nga jeta që në vitin 2003. Të ndjerit,  Krenar Karati i gjeti djalin, Dashnor Taullën dhe i premtoi se do e takonte me një person që do i rregullonte dokumenta për të përfituar tokë. Një ofertë që zor se e refuzon kush! Edhe në këtë rast "bamirësi" ishte Ardit Kërtusha. Kështu, me premtimin se do të merrnin tokë, Dashnor Taulla merr të gjithë familjen dhe shkon dhe firmos në noteri.

"Më pas janë takuar Dashnori dhe Krenari me shtetasin Ardit Kërtusha dhe ky i fundit i ka marrë përsipër që t'i rregullonte tokë, pasi sipas Arditit, i takonte sipas ligjit. Arditi i ka kërkuar kartat e identitetit të tij dhe të vëllezërve dhe motrave duke i thënë se ‘ju takonin të gjithëve',"-tha një prej anëtarëve të familjes para Prokurorisë. 

Pas kësaj dite nuk mori më asnjë lajm. Muaj më vonë, takon sërish Karatin dhe i kërkon llogari se çfarë ka ndodhur me çështjen e tij të pronës, ndërsa personi tjetër i jep garanci se çdo gjë po shkon sipas 'planit'. Oliver Xhamuça është personi tjetër që firmos dhe toka u kaloi të tretëve përmes akteve të dhurimit. Por fakti është që Xhamuça as që e njeh familjen Taulla. Megjithatë, punonjësit e Kadastrës së Durrësit, ish-zv.drejtori Leonard Kadrimi dhe juristët Aida Kila dhe Mikel Zahi kaluan ndryshuan pronësinë e plotë 151 mijë metra katror.

“Shtetasi Oliver ka deklaruar se nuk njeh asnjë nga pjesëtarët e familjes Taulla, por kujton se në vitin 2019 shtetasi me emrin Ardit Kërtusha me të cilin kishte njohje i ka thënë që të shkonte tek Zyra Noteriale e J.B që të firmoste disa dokumente, pasi Arditi do të përfitonte një sasi toke duke i premtuar se pasi t'i shiste do t'i jepte një sasi parash,”- thuhet në dosje.

Pas nisjes së hetimeve Dashnor Taulla është pyetur në prokurori dhe pas kësaj ka takuar Arditin dhe Krenarin, por Arditi i ka thënë se marrëveshjen e ka pasur me Krenarin dhe jo me Dashnorin. Xhamuça madje ka këmbëngulur të takojë Ardit Kërtushën pas marrjes në pyetje në Prokurori, duke ngulur këmbë se  i kishte premtuar që çdo gjë do ta sqaronte vetë.

"Ai më ka thënë që të rrija pa merak pasi do ta zgjidhte ai këtë punë dhe pas kësaj nuk e kam takuar më,”- tha Xhamuça.

Por toka aktualisht është e dhuruar tek persona të tretë, lëvizje për të cilën Taulla ka marrë 60 mijë euro. Si u ndërrua pronësi? Edhe në këtë rast faji mbetet jetim, pasi Kadrimi pretendon se nuk ka pasur dijeni për skemën, duke e kaluar përgjegjësinë tek vartësit e tij. Por Prokuroria pretendon të kundërtën ndaj edhe e ka vendosur në pranga. Të njëjtën gjë pretendon edhe për Gjovalin Ndocin dhe Oliver Xhamuçën. Por ky i fundit letësohet nga përgjegjësia penale, pasi Prokuroria mendon se ai nuk i ka lexuar aktet noteriale që ka firmosur, por gjithsesi ka ndërhyrë për të përfituar para. Më përfituesi është Ardit Kërtusha. Ky i fundit, i pyetur nga prokuroria për tjetërsimin e pronës, Kërtusha ka mohuar çdo akuzë. 

“Është pyetur në lidhje me këto fakte, shtetasi Ardit Kërtusha, i cili ka deklaruar se nuk i njeh pjesëtarët e familjes Taulla dhe nuk ka asnjë lloj dijenie në lidhje me përfitimin prej tyre të sipërfaqes prej 76,000 m2,”- citohet ai nga prokuroria.

Por Prokuroria ka dyshime se sipas të njëjtës skemë janë përfituar dhe sipërfaqe të tjera toke në Durrës, ndaj hetimet vazhdojnë. Në ditët në vijim, priten edhe aksione të tjera./ZËRI

Poll

MOS HUMB