TIRANË- Pas përfundimit të hetimeve, Prokuroria e Tiranës ka dërguar në gjyq shtetasin nigerian L.O., i akuzuar për veprën penale "Mashtrim kompjuterik".
Shtetasi nigerian u kallëzua në vitin 2022 nga një punonjëse e një call center-i, e cila deklaroi se ishte kontaktuar në rrjetet sociale nga një person që prezantohej si italian, por që nuk dinte të komunikonte në gjuhën italiane.
Sipas Prokurorisë skema e mashtrimit nisi me disa komunikime në Instagram dhe në WhatsApp. Më pas, ai i kërkonte viktimës të kryente një pagesë për një pako surprizë. Për kryerjen e pagesës, ai kërkonte edhe të dhënat bankare, duke e orientuar viktimën drejt një llogarie ku u krye një transfertë me një vlerë të konsiderueshme. Pavarësisht pagesës, pakoja nuk mbërriti kurrë, ndërsa shtetasi nigerian këmbëngulte që viktima të përsëriste sërish pagesat, duke vijuar skemën e mashtrimit.
Pas hetimeve të kryera nga Prokuroria e Tiranës dhe bashkëpunimit me autoritetet italiane përmes letërporosive, u identifikua si posedues i një llogarie PostePay Evolution shtetasi nigerian me banim në Itali. Ai tashmë do të përballet me drejtësinë për akuzën e "Mashtrimit kompjuterik".
Njoftimi i Prokurorisë
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin nigerian L.O., për veprën penale të ‘Mashtrimit Kompjuterik’ parashikuar nga nenet 143/b/1 të Kodit Penal.
Hetimet mbi procedimin penal nr.2103 të vitit 2022, nisën pas kallëzimit të bërë nga shtetasja M.E., operatore në një ‘Call Center’ që merret me shitjen e energjisë elektrike dhe gazit.
Në rrjetin e saj social i shkruante vazhdimisht një person me të cilin nisi të komunikojë. Ky shtetas, hiqej si me kombësi italiane edhe pse nuk dinte të komunikonte në italisht. Pas disa bisedave në Instagram dhe më pas në WhatsApp, asaj iu kërkua të bëhej një pagesë, me pretendimin se ai shtetas nuk e bënte dot, në mënyrë që të merrte një pako surprizë.
Më vonë për t’i marrë informacionet bankare kallëzueses iu kërkua qe pagesa të bëhej me të dhënat bankare të marrësit, duke paguar një shumë të madhe parash. Por edhe pse pako nuk i erdhi asaj iu kërkuan sërish para me premtimin se do ta merrte.
Pas kryerjes së gjithë veprimeve procedurale dhe hetimeve të kryera nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, si dhe mbërritjes së Letër Pororsisë nga ana e autoriteteve italiane, u arrit te identifikohej si posedues i PostePay Evolution shtetasi nigerian me banim në Itali, L.O, lindur në Nigeri i cili dërgohet në gjyq për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi kompjuterik” parashikuar nga nenet 143/b /1 të Kodit Penal.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, duke marrë shkas se raste të tilla janë të përsëritura e gjithnjë e më tepër shtetas po bëhen pre e mashtrimeve të tilla online, u bën thirrje sërish të gjithë shtetasve të mos japin të dhënat personale apo llogaritë bankare, në mënyrë që të mos bëhen pre e sulmeve dhe mesazheve të rreme kompjuterike me qëllim vjedhjen e kredencialeve në komunikimet online dhe vlerave monetare të tyre./ZËRI