
TIRANË- Një protestë është planifikuar që të mbahet të mërkurën para ambienteve të Ministrisë së Shëndetësisë. Tubimi është organizuar fill pas skandalit që u zbulua në spitalin Onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Teresa". Protesta do të mbahet në orën 19:00, si shenjë revolte ndaj asaj që është zbuluar në dosjen e hetuar nga Prokuroria e Tiranës.

Sot, Prokuroria e Tiranës ka zbuluar një skandal në spitalin Onkologjik, ku mjekët orientonin pacientët drejt klinikave private, ku ishin të punësuar po vetë. Me miratimin e Gjykatës, janë lëshuar 7 masa sigurie për mjekë dhe punonjës të tjerë në spitalin Onkologjik, përfshirë dhe ish-zv drejtoreshën e QSUT Brikena Qirjazi. I vetmi nga mjekët që ka masën "më të ashpër" të sigurisë është mjeku Edmond Gashi, i cili është lënë në arrest shtëpie.
Skema u zbulua pasi Prokuroria ka kryer hetime të thelluara për blerjen e ilaçeve që përdoren për kimioterapinë, të cilat tregtoheshin pa pullë fiskale, duke vënë në dyshim dhe origjinën e tyre. Kështu u zbulua edhe skandali brenda spitalit Onkologjik në QSUNT. Duke vjedhur ilaçet e duke mos u dhënë pacientëve dozën e duhur të kimios, i orientonin në spitalet e tyre private, për të përfituar para prej tyre./ZËRI