
TIRANË- Tire Alldervishi, një sanitare që shtirej si infermiere dhe mashtronte familjarët e pacientëve me COVID-19, është liruar nga burgu 11 muaj para se të plotësonte kohën e dënimit. Gjykata e Tiranës e kishte dënuar për "mashtrim", për të cilën rrezikonte deri në 7 vite burg. Nga togat e zeza u vendos që pjesa e mbetur e këtij dënimi konkretisht 11 muaj, të konvertohet në 22 muaj shërbim prove. Por kushti është që e pandehura të mos kryejë asnjë vepër tjetër penale.
"Në zbatim të nenit 61 të Kodit Penal, e pandehura detyrohet të marrë pëlqimin e zyrës së shërbimit të provës për ndryshimin e vendbanimit, për lëvizjet jashtë vendit, si dhe ato të shpeshta brenda vendit. Afati i provës fillon nga e nesërmja që ky vendim të marrë formë të prerë,"-thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Skandali ‘Tire’ u publikua për herë të parë në një emision investigative dhe nëpërmjet video-përgjimeve u zbulua se ajo, duke u prezantuar si infermiere, u merrte para në kërkim të shërbimit familjareve të pacientëve që ishin të shtruar ne spitalin ‘Shefqet Ndroqi’. Po ashtu Tirja u filmua nga një vajzë, të cilës arriti t’i zhvaste rreth 8 milionë lekë, duke i premtuar se do kujdesej për nënë e saj që ishte me COVID-19./ZËRI