Bota

Skandali diplomatik me Osmanin, Ministria në RMV: Donte të kalonte pa skanuar bagazhet dhe celularin

MPB thotë se është shtyrë edhe një punonjës policie që punonte në pikën kufitare

F.m
Skandali diplomatik me Osmanin, Ministria në RMV: Donte të kalonte pa
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut

MAQEDONI E VERIUT- Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka dhënë versionin e saj në lidhje me skandalin diplomatik të ndodhur në aeroportin e Shkupit me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Në njoftimin zyrtar, thuhet se Presidentja ka tentuar të kalojë celularin dhe bagazhin pa i skanuar ato. Sipas, MPB-së, në momentin kur Osmanit iu kërkua që telefonin ta kalonte përmes skanerit, një person nga sigurimi i saj është distancuar, me qëllim që ajo të kalonte pa telefon të skanuar dhe bagazh dore.

“Por më pas bagazhi u kthye dhe kaloi përmes një skaneri. Pas gjysmë ore erdhi një person nga sigurimi i kryetarit të Kuvendit Gashi (polic) me dy persona të tjerë (polic) dhe filluan të kërcënojnë punëtorët e TAV-së dhe të pyesin se kush i ka shkaktuar probleme presidentit. Në të njëjtën kohë ka shtyrë edhe një punonjës policie që punonte në pikën kufitare,”- thuhet në njoftim.

“Menjëherë pas kësaj është njoftuar Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminale dhe Standarde Profesionale dhe se po merren masa për zbardhjen e rastit,”- shton Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut.

Ngjarja u raportua këtë mbrëmje nga mediat e Kosovës. Mediat e Kosovës shkruajnë se Presidentja  e Kosovës, Vjosa Osmani është ndaluar nga forcat e sigurisë në aeroport. Këta të fundit kanë tentuar që t'i bllokojnë celularin personal Presidentes. Nga ajo që raportohet, Osmani është përplasur fizikisht me forcat e sigurisë. Më pas, ka kërkuar ndihmë nga Kreu i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi. 

Poll

MOS HUMB