Aktualitet

Situata në landfillin e Elbasanit! Reagon Bashkia: 95% e zjarrit është shuar

Kryebashkiaku bëri të ditur se vatrat janë të izoluara, ndërsa vijojnë punimet për kapsulimin e mbetjeve, për të parandaluar çdo rrezik të mëtejshëm nga agjentët atmosferikë.

f.g
Situata në landfillin e Elbasanit! Reagon Bashkia: 95% e zjarrit
Foto ilustruese

ELBASAN- Pas gjashtë ditësh përpjekjesh intensive përballë flakëve të mëdha në landfillin e Elbasanit, Bashkia njofton se situata është thuajse nën kontroll të plotë. Sipas autoriteteve vendore dhe shërbimeve të emergjencës, 95% e zjarrit është shuar, ndërsa pjesa e mbetur përbëhet vetëm nga avuj dhe gazra që burojnë nga materialet plastike të djegura dhe përdorimi masiv i ujit.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja u shpreh se: “Është dita e gjashtë e luftës që bëjmë bashkërisht. Kjo është një betejë që po e fitojmë me forcat tona vendore, me mbështetjen e zjarrfikësve kombëtarë, ushtrisë, emergjencave civile dhe bizneseve vendase.”

Ai bëri të ditur se vatrat janë të izoluara, ndërsa vijojnë punimet për kapsulimin e mbetjeve, për të parandaluar çdo rrezik të mëtejshëm nga agjentët atmosferikë.

Ndërsa, Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës të Elbasanit, Arben Cara, e përshkroi ngjarjen si një ndër më të vështirat e dekadës:

“Zjarri në landfill ishte mbytës, me përbërje të rrezikshme si plastikë dhe komponime të tjera ndotëse. Kemi përdorur qindra litra shkumë dhe tonelata inerte për izolim.”

Cara theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, duke falënderuar mbështetjen nga Berati, Tirana, Kamza, Fieri, si dhe ndërhyrjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Zjarrfikësve./ZËRI

Poll

MOS HUMB