Aktualitet

Shqipëria përballet me rënie alarmante: pritet të humbasë gati 43% të të rinjve deri në 2050

Situata alarmante u pasqyra në një dokument të fundit për të rinjtë nga Divizioni i Popullsisë në Kombet e Bashkuara, në të cilin thuhet se Shqipëria pritet të humbasë pothuajse 43% të grupmoshës 15-24 vjeç nga 2025-2050.

Redaksia Zëri
Shqipëria përballet me rënie alarmante: pritet të
foto ilustruese

TIRANË- Shqipëria ka hyrë në një periudhë të ashpër të zhvillimeve demografike, duke u renditur në katër vendet e para në botë sa i takon tkurrjes së numrit të të rinjve, së paku deri në vitin 2050.

Situata alarmante u pasqyra në një dokument të fundit për të rinjtë nga Divizioni i Popullsisë në Kombet e Bashkuara, në të cilin thuhet se Shqipëria pritet të humbasë pothuajse 43% të grupmoshës 15-24 vjeç nga 2025-2050.

Në vitin 2000, Shqipëria numëronte mbi gjysmë milion të rinj (544 mijë), ndërsa pas dy dekadash e gjysmë, kjo shifër do të arrijë në vetëm 195 mijë, duke vënë në dilemë ekzistencën ekonomike dhe shoqërore të vendit.

Kombet e Bashkuara vërejnë se në 225 vende të botës, Shqipëria klasifikohet e treta pas Kinës dhe Ukrainës për tkurrjen e numrit të të rinjve në tri dekadat në vijim.

Krahasimi global e nxjerr Shqipërinë në një pozitë më të rëndë se edhe Japonia apo Italia, simbolet botërore të plakjes. Ndërsa Japonia po humbet vetëm 28% të rinisë së saj, Shqipëria po e bën këtë me një ritëm pothuajse dy herë më të shpejtë, duke djegur etapa demografike që kombeve të tjera u kanë marrë shekuj, sipas të dhënave OKB-së.

Përkeqësimi bëhet edhe më agresiv për shkak se të rinjtë do të bëhen një grup shumë i vogël në raport me popullsinë totale. Në vitin 2000, Shqipëria kryesonte Europën për popullsinë e re në moshë, ku 15-24-vjeçarët zinin 17.2% të popullsisë totale.

Në vitin 2025, ata zunë vetëm 13,6%, ndërsa në vitin 2050 pritet të jenë vetëm 11.3%, sipas projeksioneve të OKB-së. Kjo rënie e vendos Shqipërinë në zonën e kuqe të vendeve që po konsumojnë të ardhmen përpara se ajo të mbërrijë.

Studimet kombëtare kanë verifikuar se tkurrja e numrit të të rinjve ka emigrimin si faktor themelor, që më pas ngushton bazën e lindjeve për dekadat në vijim.

Ndërsa shumë vende në Europë po mbajnë balancën përmes politikave të tërheqjes së emigrantëve, Shqipëria po luan ende rolin e donatorit të burimeve njerëzore.

Shqetësimi që shtrohet nuk është më se si do të rritet ekonomia, por si do të mbijetojë vendi ynë, i cili deri në vitin 2050 do të ketë humbur gjysmën e të rinjve të sotëm, duke bërë që Shqipëria të përballet me provën më të vështirë të historisë së saj moderne.

Nëse trendi nuk përmbyset me masa urgjente, viti 2050 do ta gjejë Shqipërinë me shkolla të zbrazura, biznese pa punëtorë dhe një shoqëri që numëron ditët e fundit të vitalitetit të saj.

Më keq se rajoni dhe Europa

Shqipëria kryeson listën globale për rënien e numrit të të rinjve, por edhe vendet e Ballkanit Perëndimor si Bosnja, Kosova dhe Maqedonia e Veriut po tkurren me shpejtësi, ndonëse më pak se Shqipëria.

Sipas të dhënave të OKB-së, Kosova do të ketë tkurrjen më të fortë të të rinjve në rajon pas Shqipërisë, me rreth 40% ndërmjet 2025 dhe 2050, Bosnja me 35%, Maqedonia e Veriut me 34% dhe Serbia, me një ritëm më të ulët 23%.

Shqipëria po pëson një lloj shkretimi të moshës së re që nuk gjen paralele në rajon. Ndërsa vende si Serbia apo Bosnja kanë nisur të plaken dekada më parë, ritmi me të cilin rinia shqiptare po tkurret është unik. Ne po humbasim avantazhin tonë konkurrues më të madh, duke u shndërruar në një vend që po zbrazet më shpejt se Maqedonia e Veriut apo Mali i Zi.

Në raport me Europën, kontrasti bëhet edhe më i dhimbshëm, pasi Shqipëria po plaket me shpejtësinë e vendeve më të pasura të kontinentit, por pa pasur bazën e tyre ekonomike apo sistemet e tyre të mbrojtjes sociale.

Ndërsa vendet europiane po arrijnë të ruajnë qëndrueshmërinë demografike falë politikave të mirëfillta sociale dhe tërheqjes së emigrantëve, Shqipëria ka hyrë në dekadën e katërt që po shërben si furnizuesi kryesor i këtyre vendeve me emigrantë të rinj.

Krahasimi tregon se ne jemi në një rrugëtim të kundërt me pjesën tjetër të botës së zhvilluar; ndërsa ata po menaxhojnë tranzicionin, Shqipëria po përballet me një kolaps të mirëfilltë të moshës 15-24 vjeç.

Nëse e shohim këtë ecuri në hartën e Europës Lindore, Shqipëria po ndjek skenarin më dramatik, pasi ndryshe nga vende të tilla si Polonia, ne nuk po arrijmë të krijojmë kushtet që ky brez të qëndrojë apo të kthehet.

Të rinj ka, por zgjedhin të emigrojnë

Hulumtimi i fundit ka treguar se, gjatë dekadës së tretë dhe të katërt të tranzicionit, krahas faktorëve ekonomikë, të cilët janë më të zbutur, janë shfaqur edhe dy grupe të reja motivesh, faktorët arsimorë, të lidhur si me arsimimin e fëmijëve ashtu edhe me vetëzhvillimin e të rriturve, dhe perceptimi i përhapur i “mungesës së perspektivës në Shqipëri”.

Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë se 49.7% e shtetasve shqiptarë në gjendjen civile jetonin jashtë vendit duke u dominuar nga moshat e reja. Të dhënat zyrtare referojnë se grupmosha 0-14 vjeç është rreth 18% e diasporës, të rinjtë ose grupmosha 15-29 vjeç përfaqësojnë rreth 24%, grupmosha aktive (15-64 vjeç) përfaqëson rreth 77% dhe grupmosha mbi 65 vjeç është rreth 5%.

Ndërsa popullsia vendase paraqet zhvillime krejt të kundërta, ku dominon mosha mbi 55 vjeç.

Në Censin e 2011, grupmosha 15 deri në 29 vjeç përfaqësonte 25.2% të popullsisë, ndërsa në Censin e 2023 arriti në 17.9% ose 7.3 pikë përqindje më pak.

Rrjedhimisht, edhe në kushtet e një emigrimi potencial të lartë (d.m.th. një pjesë e madhe e shqiptarëve që deklarojnë synimin për të emigruar), kapaciteti demografik i Shqipërisë për të prodhuar emigrantë do të zvogëlohet në perspektivë nga reduktimi i popullsisë.

Pasojat

Pasoja më e menjëhershme dhe më dërrmuese është thyerja e skemës së pensioneve, ku pakësimi i të rinjve nga 544 mijë në vetëm 195 mijë në 2050 do të thotë se barra për të mbajtur të moshuarit do të bjerë mbi supet e një numri gjithnjë e më të vogël punëtorësh.

Ky raport i përmbysur do të detyrojë shtetin, ose të rrisë në mënyrë drastike taksat mbi punën, duke dekurajuar edhe më tej ata pak të rinj që mbeten, ose të shkurtojë përfitimet për të moshuarit, duke rritur varfërinë në këtë moshë.

Në një treg pune që po tkurret me shpejtësi, sektorët strategjikë si turizmi, bujqësia dhe teknologjia do të përballen me një krizë akute për krah pune dhe inovacion, pasi energjia dhe idetë e reja që sjell grupmosha 15-24 vjeç do të jenë në deficit kritik.

Ekspertët e ekonomisë lajmërojnë se bizneset shqiptare do të gjenden përballë një zgjedhjeje të vështirë. Të rrisin pagat në nivele të papërballueshme për të mbajtur punonjësit, ose të mbyllin aktivitetet për mungesë stafi, gjë që do të çonte në stanjacion ekonomik afatgjatë.

Vakumi do të detyrojë Shqipërinë të ndryshojë politikat e saj të migracionit, duke u kthyer nga një vend që eksporton njerëz në një vend që duhet të importojë punëtorë nga kultura të largëta për të mbajtur gjallë shërbimet bazë, fenomen që tashmë ka nisur.

Ky ndryshim do të sjellë sfida të mëdha të integrimit social dhe do të tjetërsojë strukturën tradicionale të shoqërisë sonë. Mungesa e të rinjve do të sjellë më pak konsum, më pak investime në arsim, duke e kthyer Shqipërinë në një ekonomi statike që nuk ka forcën e brendshme për t’u rritur apo për t’u përshtatur me zhvillimet globale.

Për më tepër, pasoja sociale e këtij procesi është zbrazja e zonave rurale dhe periferike, ku shkollat do të mbyllen dhe qytetet e vogla po kthehen në bujtina ku jetojnë vetëm të moshuarit.

Ky çekuilibër do të rrisë presionin mbi kryeqytetin, por edhe Tirana do ta ndiejë peshën e një popullsie që plaket, ku kostot e sistemit shëndetësor do të trefishohen për shkak të sëmundjeve kronike që shoqërojnë moshën e thyer.

Investimet e Huaja Direkte do të shmangen, pasi asnjë korporatë e madhe nuk investon në një vend ku nuk ka një bazë të rinjsh të trajnuar dhe ku tregu i brendshëm po zvogëlohet çdo ditë.

Në planin politik, pesha e votuesve të moshuar do të diktojë agjendat kombëtare, duke u fokusuar më shumë te mbrojtja sociale sesa te zhvillimi dhe e ardhmja, gjë që do ta mbajë Shqipërinë në një rreth vicioz të mungesës së progresit.

Pa një brez të ri që trashëgon kulturën, traditat dhe gjuhën, ekzistenca jonë si komb do të vihet në pikëpyetje, jo nga faktorë të jashtëm, por nga një vetëvrasje e ngadaltë demografike./Monitor

Poll

MOS HUMB