
SHKODËR- Një restorant në Theth është shkrumbuar totalisht pasi u përfshi nga flakët në orët e para të mëngjesit. Restoranti është në pronësi të Petrit Gjeçajt, i cili rezulton të jetë agjent i Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Pasi u pikasën flakët, banorët e zonës dhe shërbimet zjarrfikëse bënë të mundur shuarjen e flakëve, por ishte tepër vonë. Restoranti ishte shkrumbuar, megjthatë fatmirësisht pa të lënduar në njerëz.
"Gjatë orëve të para të mëngjesit, në fshatin Theth, ka rënë zjarr në lokalin në pronësi të shtetasit P. Gj. Për pasojë janë shkaktuar vetëm dëmë materiale. Shërbimet e Policisë dhe të zjarrfikëses kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit.Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit,"- njofton policia.
Bashkëshortja e Petrit Gjeçajt, Aida Gjeçaj në prononcimin që ka dhënë për mediat është shprehur se dyshimet e para të ekspertëve kanë të bëjnë me shkëndijën elektrike, por ajo nuk e përjashton mundësinë e një zjarrvënieje të qëllimshme. Edhe pse, sipas saj, nuk kanë konflikte. Një pistë hetimi që ende po shqyrtohet është profesioni i bashkëshortit të saj. Aida Gjeçaj theksoi se punimet në restorant kishin përfunduar vjet dhe se dëmi mund të llogaritet deri në 150 mijë euro, ndërsa gjithashtu sqaron se biznesi i tyre nuk ishte në listën e atyre që do të shembeshin nga Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit.
"Mbrëmë isha në Tiranë për punë administrative. Kur më kanë njoftuar në dy të natës se kishte rënë zjarr në subjektin tim. Erdhëm, komshinjtë kanë fikur zjarrin, nuk kanë arritur të shpëtojnë gjë. Ishte restorant me panele diellore. Dhe ishte e pamundur që të fikej, zjarrfikësja nuk ka arritur të vijë në kohë. Gjithsesi ka ardhur, ka bërë pjesën e saj të fundit. Falenderoj komshinjtë që kanë dhënë ndihmën e parë dhe për të evituar që zjarri të përcillej në godina të tjera, që janë kuzhina dhe bujtina. Nuk ka pasur dëme në njerëz. Falë zotit jemi mirë sa i përket jetëve njerëzore ndërsa hekurat shkojnë dhe vijnë. Restoranti është në pronësinë time si Aida Gjeçaj. Kemi mbi 15 vite që operojmë në këtë sektor. Ndër bujtinat e para që kemi punuar dhe promovuar Thethin në këto vite. E vetmja gjë që ekspertët kanë konfirmuar është se energjia elektrike nuk është shuar edhe pse godina kishte marrë flakë, gjë që përjashton incidentin nga ndonjë shkëndijë elektrike. Kështu që për shkaqe të tjera nuk kam dyshime, sepse nuk kam askujt borxh, s’kam asnjë konflikt apo kërcënime. Nuk e di nga se mund të ketë ardhur. Kemi vetëm 5 dhoma në pronësi, pasi nuk kam dashur të ndërtoj asnjë gjë pa leje. Nuk e di ku ta vë gishtin.
Nuk e di, koicedenca është e keqe. Thashë nuk kam procedim për prishje siç mund të kenë një pjesë e banorëve sepse s’kam marrë veprime për ndërtime që mund të penalizohesha. Kam zgjedhur të punoj në nivel të ulët, me restorantin, me një kuzhinë të hapur, me 5 dhoma. Dëmi i shkaktuar në këtë godinë, e cila është ekologjike, është një strukturë parafabrikat, kostoja e ndërtimit të saj që e kemi përfunduar vitin e kaluar është afërsisht 150 mijë euro. Kështu që dëmet janë vetëm materiale, dëme kanë çdokush me dashje apo pa dashje. Përderisa nuk është energjitike, ia lë në dorë drejtësisë dhe ata që janë eksperta këtë punë. Ua lëmë atyre në dorë. Duke qenë se familjarisht jemi të lidhur me drejtësinë, ia kemi besuar. Besojmë te ligji dhe shteti dhe nuk e di, presim që veprimet të bëhen dhe e vërteta herët a vonë do të dalë,”-deklaroi ajo.
Flaka në restorantin e familjes Gjeçaj ka nisur, duke përkuar me një aksion të ndërmarrë nga qeveria për prishjen e objekteve pa leje; aksion që ka shkaktuar protesta në zonë./ZËRI