TIRANË- Tregu imobiliar në Shqipëri, veçanërisht në Tiranë, po përjeton një paradoks: nga njëra anë çmimet e apartamenteve rriten në mënyrë të vazhdueshme, duke kaluar 2,500–3,000 euro për metër katror në zona të caktuara. Nga ana tjetër, një pjesë e mirë e kullave të mëdha që reklamohen si projekte “luksoze”, të cilat shpesh përdoren si referencë për të justifikuar këto çmime, nuk kanë nisur kurrë ndërtimin, edhe pse leja e ndërtimit u është dhënë prej një apo dy vitesh.
Në pamje të parë, këto projekte krijojnë një iluzion investimi dhe justifikojnë inflacionin artificial të tregut. Por në prapaskenë, realiteti është ndryshe: lejet janë marrë, ndërtimi nuk ka filluar. E as nuk dihet nëse do të fillojë ndonjëherë.
Mjafton të shohim rastet konkrete të Bofill Tower, Barcelona Tower dhe Society Towers për të kuptuar se si qiellgërvishtëset kanë mbetur vetëm në letër pasi në realitet nuk ekzistojnë.
Bofill Tower është një nga projektet më të komentuar. Ajo ka marrë emrin e projektuesit të saj, Ricardo Bofill dhe është planifikuar të jetë 58 kate. Leja e ndërtimi ju dha kompanisë Classic S & J sh.p.k., një kompani e themeluar që në vitin 2007 dhe qëzotërohet 100% nga Mirela Papuli, bashkëshortja e biznesmenit Agron Papuli.
Me ndërtimin e kësaj kulle, kjo kompani do të bëhej ndërtuesja e objektit më të lartë në Shqipëri, por edhe pse kanë kaluar dy vite që nga dhënia e lejes, ende nuk ka asnjë gjurmë nga kulla.
Rruga në të cilën ajo është projektuar të ndërtohet, në vendin ku takohet “Rruga Skënderbeg” me “Rrugën e Kavajës”, vijon të jetë siç ka qenë.
Një rast tjetër është Barcelona Tower, një tjetër projekt i Ricardo Bofill, por që është planifikuar të ndërtohet nga Bami Holding, një kompani e zotëruar nga Besnik Bami. Kulla 202 metra e lartë me 54 kate mbitokë dhe 6 nëntokë, është planifikuar të ndërtohet në rrugën “Ibrahim Rugova”, aty ku është Shtëpia e Gjetheve. Leja është dhënë që në tetor 2023, por deri më sot nuk ka as gërmime, as punë të nisur.
Më pas janë dhe Society Towers – dy kulla cilindrike deri në 300 metra të larta të, ideuara nga Alejandro Aravena që janë planifikuar të ndërtohen pranë një tjetër kulle, të quajtur "Malit të Tiranës", në rrugën e Barrikadave. Kompanitë zhvilluese që kanë marrë lejen e ndërtimit janë “Delta” në pronësi të Luan Muçës dhe “Techno Alb” në pronësi të Daljan Avdiajt.
Kompania Delta është edhe investitore strategjike pasi në vitin 2021 komiteti i investimeve strategjike miratoi ndërtimin e resorti Delta Falaise Resort & Village që do të shtrihet në Drimadhes dhe Palasë.
Në të njëjtën situatë ndodhen dhe ndërtuesit e kullës së Union Bank që ka marrë lejen e ndërtimit një vit më parë. Godina me 19 kate është planifikuar të ngrihet në bulevardin “Bajram Curri”, në hyrje të lagjes “Ali Demi”. Kjo kullë është planifikuar të ndërtohet nga “Union Bank”, “Auto City” dhe “Arch Investor”.
Funksioni kryesor i kësaj kulle do të jetë për hapësira për zyrat e Union Bank, ndërsa pjesa tjetër me apartamente, por njësoj si të tjerat, edhe ndërtuesit e kësaj kulle e kanë marrë lejen një vit më parë, por planet për ta finalizuar apo qoftë edhe për ta nisur, nuk duken asgjëkundi.
ZËRI ka vëzhguar nga afër të tre vendet dhe nuk ka asnjë shenjë të nisjes së ndërtimit të këtyre kullave. Gjithashtu ZËRI ka nisur në emailet zyrtare të të gjitha kompanive edhe një kërkesë kërkesë zyrtare për informacion, për tu njohur me fazën e investimeve, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje.
Por, përveç këtyre kullave që kanë mbetur vetëm në letër, ka të tjera që kanë nisur dhe janë lënë në mes.
Dy prej tyre që mund të përmendim janë “Eyes of Tirana” dhe “Ekspozita Building”. Pamjet tregojnë se punimet kanë mbetur në mes, ndërsa kantieri ngjan i braktisur dhe pa shenja të qarta aktiviteti ndërtimor. I vetmi që është funksional tek “Ekspozita Building” është parkingu nëntokësor. Leja e zhvillimit për këtë projekt i është dhënë kompanisë “Victoria Construction”, në pronësi të Luan Matës që në vitin 2019 dhe është pse kanë kaluar 6 vite, projekti nuk është as në gjysmën e rrugës.
Eyes of Tirana, i ndërtuar nga Ideal Construction sh.p.k., në pronësi të ARMAAR GROUP që zotërohet nga biznesmeni Armand Lilo mori leje në 2017 dhe filloi punimet në Rrugën e Kavajës. Nëntë vite më vonë dhe kjo kullë s’ka përfunduar.
Nisur nga situata, ZËRI ka kontaktuar edhe agjencitë imobiliare apo dhe me vetë zyrat e shitjeve të kompanive për të pyetur se në cilën fazë janë punimet në këto kulla dhe kur mund të bëhen të banueshme, por askush nuk di asgjë konkretisht.
Për “Ekspozita Building” ka dy afate, fundin e vitit 2026 dhe fundin e vitit 2027, ndërsa për “Eyes Of Tirana” nuk ka asnjë të dhënë.
Të gjitha këto të dhëna që parashtruam, tregojnë situatën në të cilën ndodhet tregu imobiliar, kulla në letër dhe kulla të lëna në mes që paracaktojnë çmimet e zonave me argumentin se po sjellin zhvillim, një zhvillim që nuk duket asgjëkundi konkretisht.
Ajo që kuptojmë gjithashtu është se zhvilluesit marrin leje për të tërhequr investime edhe pse mund të mos kenë siguruar një kapital të caktuar, as nga shitjet paraprake dhe as nga rezervimet.
Në këtë mënyrë çmimet e apartamenteve mbeten artificialisht të larta, ndërsa qytetarët shohin vetëm fasada dhe jo shtëpi apo investime reale.
Pa përmendur këtu peisazhin urban pa asnjë standard funksional dhe faktin që individët që kanë vënë kapital real në këto godina mund të mbeten peng i “lejeve pa themele”./ZËRI/