TIRANË- Gjykata e Posaçme ka shpallur fajtor dhe ka dënuar me 1 vit e 6 muaj burg ish-zyrtarin Denis Xholin. Ish-zyrtari është gjetur fajtor për shkelje të barazisë në tendera dhe ankande publike. SPAK kishte nisur hetimet që nga viti 2022, ndërsa është përjashtuar nga funksionet publike për 5 vitet e ardhshme. Ndërkohë, dënimi me burgim do të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
Vendimi i plotë i GJKKO-së:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Gjykimin e ҫështjes penale që i përket procedimit penal nr. 9, të vitit 2022, me të pandehur Denis Xholi, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 258 e 25 të Kodit Penal”.
Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të zakonshëm. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Etleva Deda, Elsa Ulliri dhe Bib Ndreca, me vendimin nr. 61, datë 30.09.2025 vendosi:
Deklarimin fajtor të të pandehurit Denis Xholi, për kryerjen e veprës penale
“Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, (para ndryshimeve të pësuara në ligjin 43/2021), e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 258 e 25 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim.
-Në aplikim të nenit 35 të Kodit Penal, heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për të pandehurin Denis Xholi për 5 (pesë) vjet.
-Bazuar në nenin 33 të Kodit Penal si dhe nenin 15 të Ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, vuajtja e dënimit për të pandehurin Denis Xholi do të kryhet në një nga Institucionet për të dënuarit e rritur dhe të sigurisë së zakonshme.
Shpenzimet proceduriale të kryera gjatë fazës së hetimit paraprak, seancës paraprake dhe gjatë gjykimit, sipas procesverbalit bashkëlidhur këtij vendimi, i ngarkohet të pandehurit.
Kundër këtij vendimi lejohet apel brenda afatit ligjor, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Kush është Denis Xholi, i dënuar edhe për korrupsion në zgjedhje?
Denis Xholi, është një nga bashkëpuntorët e kryebashkiakut të Bulqizës, Lefter Alla i cili është arrestuar pasi akuzohet për korrupsion dhe se ka kryer abuzime me tenderat publike gjatë ushtrimit të detyrës si kryetar i bashkisë së Bulqizës.
Por Xholi nuk është emer i padëgjuar, pasi ai ka qenë i dënuar me 1 vit burg në 2021. Ai aso kohe është akuzuar për veprat penale “korrupsion aktiv në zgjedhje” të kryer në bashëpunim dhe “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”.
Denis Xholi dhe Albjon Çeku kapën me shuma monetare dhe materiale që dyshoheshin se shërbenin për blerje votash. Arrestimi i tyre erdhi pas një përplasjeje në qytetin e Dibrës, ku Xholi dhe Çeku u kapën nga kandidati i Partisë Demokratike, Luan Haka, dhe mbështetës të PD-së./ZËRI