
MIRDITË – Moti i keq me reshje shiu dhe dëbore ka përfshirë edhe qarkun e Lezhës. Mbrojtja Civile shprehet se prej mbrëmjes të së premtes, zonat fushore në Bashkitë e Lezhës dhe të Kurbinit, janë përfshirë nga reshje shiu me intensitet mesatar dhe të lartë, por fatmirësisht pa krijur probleme.
Ndërsa, territori i Bashkisë së Mirditës është përfshirë nga reshjet e shumta të borës. Trashësia e dëborës arrin nga 5 deri në 25 centimetra, në varësi të zonës. Prezenca e borës ka krijuar vështirësi në qarkullimin e makinave në Rrugën e Kombit, në segmentin Fan-Tuneli i Thirrës, si dhe në rrugët e brendshme në fshatrat e njësive administrative Fan, Selitë dhe Orosh. Ka mungesë të energjisë elektrike edhe në fshatrat Trojëz, Prosek, Perlat Qendër, si dhe në fshatin Gziq të njësisë administrative Rrëshen.
Moti i keq me reshje dhe me erë të fortë ka sjellë probleme edhe në lundrimin detar në Shëngjin. Kapiteneria e Portit ka urdhëruar ndalimin e lundrimit të mjeteve të peshkimit, pasi dallgëzimi arrin deri në 5 ballë. Vendimi do të jetë në fuqi deri në përmirësimin e kushteve atmosferike. Situata e motit është nën monitorimin e Mbrojtjes Civile dhe tre bashkive të Qarkut Lezhë./ZËRI/