
KOSOVË- Kosova është tronditur mëngjesin e kësaj të diele nga një sulm terrorist, që grupe kriminale që dyshohet se janë të lidhura me Serbinë i kanë bërë punonjësve të policisë në Leposaviq. Si pasojë e sulmit me armë dhe me mjete të tjera shpërthyese mbeti i vrarë rreshteri i policisë Afrim Bunjaku, dhe u lënduan dy efektivë të tjerë. Sulmet kanë vijuar për orë me radhë, ndërkohë që drejtuesit e shtetit në Kosovë kanë ngritur gishtin në drejtim të Serbisë. Presidentja Vjosa Osmani ndërpreu vizitën e saj zyrtare në SHBA, ndërsa kryeministri Albin Kurti thirri menjëherë mbledhjen e Këshillit të Sigurisë.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka dënuar ashpër sulmin që ndodhi pas mesnate ndaj policisë në Kosovë, që çoi në vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku, dhe lëndimin e dy efektivëve të tjerë.
“Policia e Kosovës ka legjitimitet të plotë për të garantuar sundimin e ligjit, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Ne e pranojmë dhe respektojmë rolin e saj si përgjigja e parë ndaj emergjencave dhe situatave të krizës”, ka thënë ambasadori Hovenier.
Duke e komentuar vrasjen në veri, ai ka thënë se autorë e këtyre veprave duhet të mbahen përgjegjës dhe të përballen me drejtësinë.
Hovenier, ka thënë edhe se e vlerëson koordinimin e vazhdueshëm në mes të Policisë së Kosovës, misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX.
Ai u ka shprehur ngushëllime familjarëve të policit të vdekur, ndërsa shërim të shpejtë dy të plagosurve.
Nga ana tjetër pas ngjarjes së rëndë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thirrur mbledhjen e këshillit të sigurisë. Kurti e bëri me dije këtë gjatë vizitës që i bëri në spital punonjësit të policisë që mbeti i lënduar gjatë sulmit të organizuar.
“Operacioni i heqjes së predhës nga krahërori i majtë i policit Alban Rashiti është kryer me sukses sot në mëngjes. Predha ishte e një granate dore që e hodhën kriminelët e orkestruar nga Serbia në drejtim të policisë së Kosovës gjatë sulmit të tyre terrorist afër urës në Banjskë të Zveçanit.
Gjatë vizitës në Klinikën Kirurgjike të QKUK-së takova edhe familjen e Albanit e cila erdhi nga Velekinca e Gjilanit. Polici i plagosur Alban Rashiti do të lirohet sot nga spitali. Nga ora 10 do të kemi mbledhje të Këshillit të Sigurisë të Republikës së Kosovës”, deklaroi Kurti.
Ndërkohë sipas mediave të Kosovës, dyshohet se personat që kryen sulmin dyshohet se janë fshehur brenda Manastirit të Banjskës. Menjëherë pas ngjarjes së rëndë është mbyllur edhe pika kufitare në Bërnjak, që lidh Kosovën me Serbinë.
Nga Presidenca e Kosovës vijnë raportime të tjera, sipas të cilave persona të maskuar dhe me mjete të blinduara kanë hyrë rreth 15 km brenda territorit të vendit.
Blerim Vela shkruan se njerëz me uniforma pa shenja dhe me maska “little green men” kanë hyrë në Kosovë dhe kanë kryer një sulm terrorist. Ai akuzoi drejtpërdrejt presidentin Vuçiç, si organizator të kësaj ngjarje, teksa shtoi se ai do të dështojë me këto akte të rënda agresioni.
Policia e Kosovës u sulmua me armë rreth orës 2 të mëngjesit të kësaj të diele nga grupe kriminale në Leposaviq, në veri të vendit, ndërkohë që përveç reshterit të vrarë dhe një efektiv mbeti i plagosur me armë, dhe një tjetër i lënduar.
Drejtuesit më të lartë të shtetit të Kosovës, por dhe politikanë, e kanë dënuar këtë ngjarje të rëndë dhe kanë bërë thirrje se autorët do të dalin para drejtësisë.
Mediat në Kosovë kanë publikuar dhe foton e rreshterit të vrarë, ndërsa gjendja e dy policëve të plagosur është fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.
-
Vrasja e policit, mbyllet pika e kalimit kufitar Kosovë-Serbi
24 Shtator, 09:45
Reagime për ngjarjen në Kosovë ka pasur dhe nga Shqipëria ku deri tani Ilir Meta dhe Lulzim Basha kanë dënuar sulmin, të cilin e kanë quajtur kriminal.
Pas vrasjes së policit Bunjaku, ka ardhur dhe reagimi i parë nga familarët e tij. Arton Bunjaku, i afërm i policit të vrarë tha se ky është një lajm i kobshëm për familjen Bunjaku nga Samadrexha e Vushtrrisë.
“Familjari jonë *AFRIM BUNJAKU , rreshter në policinë e Kosovës është vrarë derisa ndodhej në detyrë, në veriun e Kosovës, në mbrojtje të integritetit territorial dhe sovranitetit të venditit gjë të cilën e bëri me nder e krenari deri në frymën e fundit”, thuhet në reagim.
Reagimi i plotë:
*TË VDESËSH PËR ATDHE ËSHTË SIKUR TË RILINDËSH PËRSËRI.*
Të nderuar miq, të dashur familjarë,
Sot, në orët e hershme të mëngjesit erdhi një lajm i kobshëm për familjen tonë Bunjaku nga Samdrexha e Vushtrrisë.
Familjari jonë *AFRIM BUNJAKU*, rreshter në policinë e Kosovës është vrarë derisa ndodhej në detyrë, në veriun e Kosovës, në mbrojtje të integritetit territorial dhe sovranitetit të venditit gjë të cilën e bëri me nder e krenari deri në frymën e fundit.
E pikëlluar familja Bunjaku nga Samadrexha e Vushtrrisë.
/Zëri.ai