
TIRANË- 5 persona të akuzuar për korrupsion për një kamion me dru zjarri të prera në mënyrë të paligjshme në Gramsh, janë dërguar për gjykim në GJKKO. Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur të pandehur për çështjen: Çelnik Toskën, oficer i Policisë Gjyqësore Elbasan; Lulzim Hasën; Sefer Shukën, oficer i Policisë Gjyqësore Elbasan dhe Lirian e Zenel Taragjinin. Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë kryer vëzhgime dhe kanë filmuar Lirian e Zenel Taragjinin për 5 muaj rresht. Të dy, u dhanë 100 mijë Lekë të reja oficerëve të Policisë së Shtetit për lirimin e mjetit dhe mbylljen e çështjes. Ndërsa sekseri ishte Lulzim Hasa.
Akuzat për të pandehurit:
Çelnik Toska (me detyrë oficer i policisë gjyqësore pranë Komisariatit të Policisë Gramsh), akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal;
Lulzim Hasa (me detyrë shef i Klubit Sportiv të Bashkisë Gramsh), akuzuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i katërt i Kodit Penal;
Sefer Shuka (me detyrë oficer i policisë gjyqësore pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan), akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës ”, e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Lirian Taragjini ( i vetëpunësuar ), akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319 e 25 i Kodit Penal dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i dytë dhe 25 i Kodit Penal;
Zenel Taragjini, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 319 e 25 i Kodit Penal dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i dytë dhe 25 i Kodit Penal.
Njoftimi i plotë:
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 19.10.2023 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Dërgimin për gjykim të ҫështjes penale me Nr. 187 të vitit 2022, në ngarkim të të pandehurve Ç.T, L.H, S.Sh, L.T dhe Z.T.
2. Në seancën e datës 13.11.2023, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (seanca paraprake) me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, pasi shqyrtoi pretendimet e palëve, me vendimin Nr. 104 Regjistri Themeltar, datë 13.11.2023 vendosi:
Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Dërgimin në gjyq të çështjes penale që i përket procedimit penal me Nr. 187 të vitit 2022, në ngarkim të të pandehurve:
Ç.T, i cili akuzohet për veprën penale "Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funskionarëve të tjerë të drejtësisë” parashikuar nga neni 319/ҫ i Kodit Penal;
Lulzim Hasa, i cili akuzohet për veprën penale "Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i katër i Kodit Penal;
S.Sh i cili akuzohet për veprën penale “Shpërdorim i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;
L.T, i cili akuzohet për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funskionarëve të tjerë të drejtësisë” e kryer në bashkëpunim dhe "Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim parashikuar nga nenet 319 e 25 dhe 245/1 paragrafi i dytë e 25 i Kodit Penal;
Z.T, i cili akuzohet për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funskionarëve të tjerë të drejtësisë” e kryer në bashkëpunim dhe "Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim parashikuar nga nenet 319 e 25 dhe 245/1 paragrafi i dytë e 25 i Kodit Penal;
Dërgimin e çështjes për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për t’u hedhur në short me trup gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë.
Kundër këtij vendimi nuk lejohet ankim./Zëri.ai