
TIRANË- Ish-ministri i Infrastrukturës dhe Energjetikës, Damian Gjiknuri ka lënë pas më shumë se 6 orë e 30 minutash ambientet e SPAK ku u mor në pyetje për dosjen e inceneratorëve. Në një deklaratë të shkurtër për gazetarët, ai tha se nuk mund të japë informacione pasi bëhet fjalë për sekret hetimor teksa u shpreh se ishte diçka normale që të jepte shpjegime lidhur me gjëra që i kishte mësuar gjatë ushtrimit të detyrës.
“Ju lutem, nuk kam shumë për të deklaruar. Është mëse normale që të japësh shpejgime për ngjarje që ke mësuar gjatë punës që ke kryer. Tani, ju lutem shumë”, u shpreh Gjiknuri.
Ajo që e implikon Gjiknurin janë dy rezervime hotelesh që SPAK ka gjetur në kompjuterin e biznesmenit në arrati Klodian Zoto. Sipas SPAK, Zoto ka paguar për Gjiknurin Hotelin Mariot me vlerë 147 mijë lekë, kur ish-ministri ishte nisur drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për një udhëtim zyrtar. Në rastin e dytë, një hotel në Vienë është paguar në emër të Gjiknurit nga Klodian Zoto. Në këtë udhëtim, Gjiknuri ishte me mision zyrtar, negociatat me kompaninë çeke të energjisë elektrike, CEZ për riblerjen nga shteti shqiptar të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Por prokuroria thotë se objekt i bisedimeve ka qenë një projekt tjetër nga ana e Zotos dhe Mërtirit.
Bëhet fjalë për një kontratë koncesionare për instalimin e mbi 1 milionë matësave të energjisë elektrike. Vetë Gjiknuri ka deklaruar se nuk ka fjetur asnjëherë në hotelet e paguara nga bizmesmenët e inceratorëve, megjithëse u shpreh i gatshëm që të bashkëpunojë me drejtësinë, por kur është pyetur nga gazetarët, nuk ka preferuar të komentojë nëse është takuar ndonjëherë me biznesmenët Zoto dhe Mirel Mërtiri. Gjiknuri është ministri i tretë që rrezikon burgun për shkak të aferës së inceneratorëve. Pas hekurave ndodhet ish-ministri Lefter Koka, ndërsa në kërkim është shpallur ish-numri 2 i qeverisë Arben Ahmetaj. Së fundmi, Gjiknuri u shkarkua si Sekretar të Përgjithshëm të Partisë Socialiste nga kyeministri Edi Rama sepse i doli në mbrojtje ish-zv/kryeministrit. I pyetur për këtë gjë, Gjiknuri nuk dha asnjë përgjigje konkrete, por shtoi se kujtimet e tij do t’i shkruajë kur të dalë në pension politik./ZËRI