
TIRANË- I ftohti polar i Ukrainës, duket se ka mbëritur edhe në Shqipëri. Reshje shiu dhe dëbore janë regjistruar gjatë natës në vend. Temperaturat kanë qenë të ulëta duke krijuar ngrica në zona të ndryshme. Reshjet e borës kanë qenë të pranishme në juglindje të Shqipërisë, ku dhe ka sjellë bllokime në disa zona.
Qarku i Korçës është përfshirë nga reshje intensive dëbore, ku në segmentin rrugor Shtyllë- Panarit dëbora ka arritur trashësinë 50 cm. Ndërkohë, për shkak të motit të keq raportohet që rreth 500 familje në gjithë qarkun janë pa energji elektrike, ndërsa disa grupe të OSHE-së po punojnë në terren për rikthimin e energjisë. Në ketë zonë janë dërguar dy fadroma për të pastruar rrugën, ndërkohë që në këtë segment kalimi bëhet vetëm me zinxhirë.
Rreshje bore ka patur edhe në Boboshticë dhe Dradhë, ku trashësia ka shkuar deri në 5 cm. Në fshatra të tjerë si Voskopoja apo Vithkuqi ka pasur reshje dëbore me trashësi që varion nga 2 deri në 5 centimetra. Në Maliq dhe në Devoll po ashtu nuk kanë munguar reshje dëbore, ku trashësia në fshatrat buzë Moravës, në Arrzë dhe Sinicë ka arritur deri në 5 centimetra.

Rruga lidhëse Lozhan-Moglice gjithashtu u përfshi nga reshjet në të cilën është punuar edhe gjatë mbrëmjes por edhe gjatë mëngjesit të sotëm për pastrim dhe kriposje. Momentalisht akset janë të hapura dhe kalohen pa zinxhirë, por drejtuesit e mjeteve duhet të tregojnë kujdes të shtuar dhe të pajisen me goma dimërore.


Edhe në Malësinë e Krujës, ka pasur reshje dëbore në lartësitë e parkut Kombëtar të Qafë-Shtamës dhe të Malit me Gropa. Trashësia e dëborës shkon në rreth 15 cm.
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka dalë me një njoftim për situatën në vend ku tregon se grupet e punës kanë qenë në terren për të bërë pastrimin nga rënia e gurëve apo inerteve në trup të rrugës. ARRSH njofton se në akset Korçë-Dardhë, në Tamarë-Vermosh, në Qafë Thore-Bogë dhe në Valbonë ka pasur reshje dëbore me intensitet mesatar.
ARRSH njofton se rrugët janë të pastruara nga dëbora dhe qarkullimi vijon pa probleme. ARRSH i bën thirrje drejtuesve të mjeteve të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në segmentet me prezencë dëbore, të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.
I ftohti polar i Ukrainës
Europa tashmë vijon të jetë e mbërthyer nga moti i keq. Anglia po përballet me përmbytje katastrofike, në Gjermaninë veriore rrezikohet shembja e digave ndërsa Franca është në alarm për ngricat e rrezikshme. Në zonat e Egjeut priten stuhi, në veri të Greqisë do të mbizotërojë ngrica e fortë. Vala e dytë, dhe më e fortë, pritet fundjavën e ardhshme, me rënie të mëtejshme të temperaturave deri në 3 gradë.
Prej disa ditësh bora është kthyer në akull në një pjesë të Danimarkës, duke shkaktuar probleme në rrugë. Gjithashtu në Skandinavi për të dytën ditë radhazi temperaturat kanë shënuar minus 40 gradë celsius, ndërsa në Suedi kanë arritur deri në minus 43 gradë, rekord i regjistruar në 25 vite më parë.
/ZËRI