
TIRANË- Projektvendimi për “miratimin e karakteristikave themelore të funksionalitetit të platformës elektronike për regjistrimin e zgjedhësve nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë” nuk është aprovuar nga Komisioni Rregullator. Sipas anëtarëve, ky komision nuk ka autoritet për të miratuar kë vendim dhe se kjo i përket Komisionerit të Zgjedhjeve Ilirian Celibashi.
Dritan Çaka, një nga anëtarët e Komisionit Rregullator, tha se ka propozur që të jetë Komisioneri i Zgjedhjeve që ta miratoj këtë akt. Ai tha se KQZ mund të jetë struktura që ta shqyrtojë këtë akt dhe se Komisioni Rrregullator nuk është struktura kompetente.
“Komisioni rregullator nuk e ka kompetencën e dhënë nga Komisioneri i Zgjedhjeve, për shqyrtimin e një akti të tillë. Kam propozuar që të jetë Komisioneri i Zgjedhjeve që ta miratoj këtë akt. Gjykoj se ai mund të jetë struktura që ta shqyrtojë këtë akt. Vlerësoj se ne nuk jemi struktura kompetente. Të shqyrtojmë marrjen e një vendimi për mos kompetencë, lidhur me miratimin e aktit që është në rend të ditës”, tha Çaka.
Ndërsa anëtarja e Komisionit, Helga Vukaj tha se ata janë organi që kanë kompetencën që ta miratojnë. Po ashtu edhe Jona Josifi, drejtore e Votimit nga Jashtë u shpreh se përderisa e kanë sjellë për miratim mendon se është kompetencë e Rregullatorit.
Kryetarja, Ilirjana Nano theksoi se mbështet propozimin për shpalljen e mos kompetencës.
“I qëndroj arsyetimit që bëra më pare. Unë dua të shpreh votën time kundër, për shkak se mendoj se nuk është kompetencë e jona shqyrtimi i draftit”, tha Çaka.
“Vlerësova se nuk kemi kompetencë, nuk miratohet në parim”, u shpreh kryetarja Ilirjana Nano.
Dokumenti i diskutuar nga Komisioni Rregullator përshkruan rregullat për krijimin dhe funksionimin e Platformës Elektronike të Regjistrimit (PER) për zgjedhësit jashtë Shqipërisë. Platforma synon të lehtësojë regjistrimin, administrimin dhe shqyrtimin e kërkesave për të votuar nga jashtë. Ajo do të përfshijë mjete të identifikimit dhe verifikimit biometrik, të dhënash personale dhe të dokumenteve të identifikimit, duke siguruar sigurinë dhe transparencën e procesit. /ZËRI