
TIRANË- Një tjetër krim në familje është parandaluar në orët e fundit në Tiranë, ku është vënë në pranga një 66 vjeçar, Riza Sallahi. Ky i fundit kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe mbrëmjen e djeshme, e kishte mbyllur atë në banesë, së bashku me familjarët, duke i kanosur se do t’i vriste, me mjet prerës (sëpatë).
"Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, pas marrjes së njoftimit për një shtetas që kishte mbyllur në banesë, familjarët e tij (bashkëshorten me nipërit dhe mbesat), në rrugën "Pavarësia", menjëherë kanë organizuar punën për parandalimin e ngjarjes së mundshme kriminale, dokumentimin e plotë ligjor të rastit dhe vënien e autorit të dyshuar përpara përgjegjësisë penale.
Si rezultat i veprimeve të shpejta, u arrestua në flagrancë shtetasi R. S., 66 vjeç, banues në Tiranë.
Shtetasi R. S., mbrëmjen e djeshme, rreth orës 21:30, në rrugën "Pavarësia", ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes, e ka mbyllur atë në banesë, së bashku me nipërit dhe mbesat, dhe i ka kanosur ata me mjet prerës sëpatë, që të mos lajmëronin Policinë.
Mjeti prerës (sëpatë) u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme", njofton Policia.
Ky është rasti i dytë brenda pak orësh, që raportohet një rast i dhunës në familje në Tiranë, pas atij ku 35-vjeçari Jetnor Zhaboli mbante të izoluar në mënyrë ekstreme në banesë familjaret e tij gra.
/ZËRI