
MAT- Disa vatra të reja kanë riaktivizuar zjarrin në parkun e Qafë- Shtamës në Mat ditën e sotme. Pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve për të vënë flakët nën kontroll, deri më tani janë djegur rreth 30 hektarë pyje me ah shumëvjeçarë. Zjarri mendohet të jetë i qëllimshëm në të dy vatrat e reja që janë aktivizuar. Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit të këtij zjarri të qëllimshëm.
Aktualisht po punohet nga toka për shuarjen e vatrave të zjarrit, pasi terreni është tejet i vështirë. Prej 24 orësh rreth 120 forca e mjete po luftojnë me zjarrin në Qafë Shtamë. Fillimisht zjarri ka nisur mbi tunelet e Selitës, e më pas, i ndihmuar edhe nga era, ai është përhapur me shpejtësi edhe në sipërfaqe të tjera të masivit pyjor të Qafë Shtamës./ZËRI