ELBASAN– Moti i keq ka përfshirë pasditen e kësaj të premteje disa qarqe të vendit, duke shkaktuar probleme në Elbasan, Korçë, Pogradec, Librazhd dhe Përrenjas. Në Elbasan, reshjet e dendura të shiut të shoqëruara me breshër zgjatën rreth 40 minuta. Sipas Emergjencave Civile, në vetëm 38 minuta ranë rreth 40 mm reshje, duke shkaktuar përmbytje të disa bodrumeve dhe vështirësi në qarkullimin e mjeteve e këmbësorëve. Ekipet zjarrfikëse ndërhynë për largimin e ujit, ndërsa u raportua edhe rrëzimi i disa pemëve, pa pasoja në njerëz.
Stuhia u shtri edhe në zonat përreth, duke prekur bashkitë e Librazhdit dhe Përrenjasit. Probleme janë raportuar edhe në qarkun e Korçës. Në Pogradec dhe në disa zona të tjera, ku moti i keq ka shkaktuar dëme në biznese, edhe në blektori pasoi goditjet e rrufeve kanë vrarë bagëti.
Autoritetet po vlerësojnë dëmet e shkaktuara, ndërsa u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes për shkak të motit të paqëndrueshëm, i cili pritet të vijojë edhe gjatë orëve në vazhdim./ZËRI