DIVJAKË- Protesta kundër reformës territoriale vijon në Divjakë, ku banorët kanë dalë sërish në rrugë për të kundërshtuar propozimin për bashkimin e bashkisë së tyre me atë të Lushnjës. Në ditën e 47-të të protestës qytetarët kanë përsëritur qëndrimin kundër ndryshimit të statusit të Divjakës duke kërkuar që qyteti të vijojë të funksionojë si njësi e veçantë administrative.
Protestuesit janë mbledhur në qendër të qytetit, ku kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj propozimit të Partisë Socialiste. Sipas tyre protesta do të vijojë edhe në ditët në vazhdim, deri në marrjen e një përgjigjeje që i jep zgjidhje kërkesës së tyre.
Pas fjalimeve, banorët kanë vijuar protestën përmes një marshimi në rrugët e Divjakës, duke shoqëruar lëvizjen me thirrje në mbrojtje të statusit të bashkisë.
Mesazhet e protestuesve janë përmbledhur në thirrjet 'Divjaka bashki' dhe 'Divjaka e qytetarëve, jo e tradhtarëve', ndërsa ata kanë deklaruar se nuk do të heqin dorë nga kundërshtimi i reformës.
Protesta e banorëve të Divjakës hyn kështu në ditën e 47-të, ndërsa debati për riorganizimin territorial vijon të mbajë në qendër të vëmendjes edhe reagimet e komuniteteve që preken nga propozimet për ndryshimin e hartës administrative./ZËRI