
TIRANË- Babë e bir, Landi dhe Elidon Verçani (Hoxha) 20 vjeç ndërruan jetë pasditen e kësaj të premteje, ndërsa 7 të tjerë mbetën të plagosur, mes tyre edhe deputeti socialist Bujar Çela, pas një shpërthimi të fuqishëm në një kapanon në punim e sipër në Lushnje. Ngjarja që tronditi jo vetëm zonën por mbarë opinionin publik ndodhi konkretisht në vendin e quajtur "Rrethrrotullimi i Plastamsit". Të dhënat zyrtare nga policia bëjnë me dije se shpërthimi mund të jetë shkaktuar nga telat e tensionit të lartë të cilat janë këputur aksidentalisht nga vinçi që drejtohej nga Verçani dhe kanë rënë mbi depozitat e gazit, të cilat furnizonin disa biznese.
Një sërë reagimesh kanë ardhur nga Ministra dhe deputetë të cilat kanë shprehur ngushëllimet dhe janë interesuar nga afër për të plagosurit.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla i shoqëruar nga kryebashkiakët Eriselda Sefa, Petro Koçi dhe Fadil Nasufi mbërritën të parët pranë spitalit ku ndodhej, deputeti socialist Bujar Çela, për të pyetur për gjendjen e tij shëndetësore derisa u transportua në spitalin e Traumës për një mjekim më të specializuar.
Po ashtu edhe kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla dhe Ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu kanë mbërritur këtë mbrëmje në Spitalin e Traumës, ku po u jepet ndihma mjeksore deputetit socialist dhe të plagosurve nga aksidenti që tronditi vendin.
Presidenti Bajram Begaj, deputeti demokrat Gazment Bardhi dhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta kanë shprehur përmes telefonatave dhe mesazheve në rrjete sociale, ngushëllimet për familjarët e viktimave Landi dhe Elidon Hoxha, ndërsa i ka uruar shërim të shpejtë deputetit të PS.
REAGIMET:
"Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Bajram Begaj zhvilloi një bisedë telefonike me Ministrin e Brendshëm z. Taulant Balla për t’u interesuar mbi ngjarjen fatkeqe, që ndodhi në Lushnjë, pasditën e sotme. Presidenti i shpreh ngushëllimet familjes Hoxha për humbjen tragjike të dy familjarëve të tyre të dashur. Presidenti i Republikës I uron shërim të shpejtë të plagosurve dhe deputetit Bujar Çela. Presidenti Bajram Begaj ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministrin e Brendshëm Taulant Balla për t'u interesuar mbi shpërthimin e ndodhur pasditen e sotme në një kapanon në Lushnjë ku mbetën të vdekur 2 persona dhe u plagosën 7 të tjerë", njofton Presidenca.
"Në emër të grupit parlamentar të PD shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen Hoxha për humbjen e familjarëve të tyre të dashur në ngjarjen e rëndë të ndodhur sot në Lushnje. Të gjithë jemi me ju dhe familjen tuaj në këto momente të vështira. Uroj shërim të shpejtë për kolegun deputet Bujar Çela dhe të gjithë qytetarët e plagosur nga kjo ngjarje shumë e rëndë", shkruan deputeti demokrat.
"I pikëlluar nga ngjarja tragjike sonte në Lushnje, ku humbën jetën babë e bir dhe u plagosën disa të tjerë.
Shpreh ngushëllimet më të ndjera për familjarët që humbën njerëzit e tyre të dashur dhe ju uroj shërim të shpejtë të lënduarve dhe deputetit të Kuvendit të Shqipërisë", shkruan Ilir Meta.
Çfarë dimë deri më tani?
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:05 në vendin e quajtur "Rrethrrotullimi i Plasmasit" në një kapanon në punim e sipër. Pak minuta pas vinçierit Landi Verçani (Hoxha), ka humbur jetën dhe djali i tij 20 vjeç Elidon Hoxha. Shpërthimi i fuqishëm ka ndodhur pasi telat e tensionit të lartë janë këputur aksidentalisht nga një vinç dhe kanë rënë mbi depozitat e gazit, të cilat furnizonin disa biznese. Të plagosur kanë mbetur 7 persona të tjerë, mes tyre deputeti socialist Bujar Çela, nënkryetari i Bashkisë Elton Korreshi. Dy prej të plagosurve ndodhen në gjendje të rëndë./ ZËRI