TIRANË- Një dokument i deklasifikuar i Central Intelligence Agency (CIA), i përgatitur në bashkëpunim me Photographic Intelligence Center të Marinës Amerikane, hedh dritë mbi rëndësinë strategjike që kishte Ishulli i Sazanit për strukturat ushtarake shqiptare në fundin e viteve ’50. Raporti sekret, i titulluar “Sazan Island, Albania” dhe i datës korrik 1959, paraqet një analizë të detajuar të bazuar në zbulimin fotografik ajror.
Në dokument, Sazani përshkruhet si një pikë kyçe ushtarake, e pozicionuar në hyrje të Gjirit të Vlorës, me rol të rëndësishëm në kontrollin e hyrjes në Detin Adriatik. Sipas raportit, i gjithë ishulli ishte nën kontroll të plotë ushtarak, me prani të përhershme të njësive të ushtrisë dhe marinës shqiptare.
"Ishulli i Sazanit, afërsisht dy milje e gjysmë i gjatë dhe një milje i gjerë, është i vendosur strategjikisht në grykëderdhjen e Gjirit të Vlonës dhe komandon hyrjen nga Deti Adriatik. I gjithë ishulli dihet se është nën kontrollin ushtarak, me njësi ushtarake dhe detare të stacionuara këtu si një garnizon i përhershëm. Pozicionet mbrojtëse përfshijnë një bateri me dy qëllime, 8-topësh dhe dy-topësh (85-100 mm) dhe një bateri kundërajrore mesatare, 8-topësh dhe një-topësh (85-100 mm). Të gjitha këto bateri kontrollohen nga radarët,"-thuhet në raport.
Dokumenti përmend gjithashtu identifikimin e një pozicioni të mundshëm të radarit të paralajmërimit të hershëm të tipit “TOKEN”, i cili konsiderohej pjesë e infrastrukturës së mbrojtjes së ishullit. Sipas analizës së inteligjencës amerikane, në të gjithë territorin e Sazanit ishin shpërndarë pozicione mitralozësh, bunkerë dhe ambiente magazinimi nëntokësore. Këto elemente, sipas autorëve të raportit, e shndërronin ishullin në një kompleks të fortifikuar me rëndësi të veçantë strategjike.
"Një vend i mundshëm radari TOKEN për paralajmërim të hershëm është gjithashtu i pranishëm. Pozicione të shumta mitralozësh, bunkerë dhe zona nëntokësore magazinimi janë të shpërndara në të gjithë ishullin,"shkruhet në dokument.
Dokumenti shoqërohet me harta, skica dhe fotografi ajrore, ku identifikohen objektet kryesore ushtarake të ishullit. Ai dëshmon interesin e lartë të shërbimeve amerikane të inteligjencës për monitorimin e kapaciteteve mbrojtëse të Shqipërisë gjatë kulmit të Luftës së Ftohtë, periudhë në të cilën Sazani konsiderohej një pikë me rëndësi të veçantë strategjike për kontrollin e Adriatikut.


Megjithatë, dokumenti rrëzon disa nga dyshimet e kohës. Sipas inteligjencës amerikane, nuk kishte prova fotografike që të konfirmonin ekzistencën e një baze nëndetësesh apo të një depoje nëntokësore karburantesh në Sazan.
"Nuk ka prova fotografike të një baze nëndetëseje të raportuar ose një zone nëntokësore magazinimi të produkteve të naftës në Ishullin e Sazanit. Nuk ka pasur ndërtime të mëdha ose ndonjë ndryshim të dukshëm domethënës në ishullin 25X1'-thekson raporti.
Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump do të investojë 1.4 milard dollarë për Ishullin e Sazanit në vila dhe resorte lusoze. Kushner ka shprehur interesin përmes kompanisë së tij ‘Affinity Partners’. Firma e kapitalit privat me bazë në Majami planifikon të transformojë ishullin e Sazanit të Shqipërisë në Mesdhe, që më parë ishte shtëpia e një baze ushtarake, në një komunitet luksoz eko-resort të markës Aman. Qeveria e Shqipërisë, në janar të vitit 2025, miratoi kërkesën e Jared Kushner për zhvillimin e ishullit të pabanuar të Sazanit, duke i dhënë statusin e investitorit strategjik./ZËRI