
TIRANË- Shqipëria mund të dalë nga lista gri e pastrimit dhe parandalimit të financimit të terrorizmit, ku deri më tani, struktura e Këshillit të Europës, që njihet me emrin “Moneyval”, e mbante për shkak të amnistisë fiskale.
Ministrja e shtetit për sipërmarrjen Delina Ibrahimaj, e ftuar në E-ZONE në Vizion Plus, tha se Shqipëria i ka zbatuar të gjitha rekomandimet e lëna nga kjo strukturë, ndaj dhe në mbledhjen e radhës, brenda këtij muaji pritet të finalizohet kjo vendimmarrje.
“Në muajin gusht një grup kontrolli nga FATF, struktura që merret me vlerësimin e rekomandimeve erdhi në Shqipëri dhe evidentoi se vendi ynë i kishte plotësuar të gjitha rekomandimet e lëna. Ekspertët e kësaj strukture nuk lanë rekomandime të tjera, ndaj dhe ne jemi shpresëplotë se në fund të këtij muaji do të ketë një vendim pozitiv për ta hequr Shqipërinë nga kjo listë”,- u shpreh Ibrahimaj.
Por, në fakt, Vizion Plus shkruan se shkak për këtë vendimmarrje, nuk është plotësimi i rekomandimeve, por fakti që qeveria ka hequr dorë nga nisma e amnistisë fiskale. Kjo e fundit është kundërshtuar pandërprerje nga Bashkimi Europian dhe me lancimin e kësaj nisme, Shqipëria u fut në ‘listën gri’.
Çfarë parashikonte projekti i qeverisë?
Projekti i qeverisë planifikonte që përkundrejt një tatimi nga 5 deri në 10% të pasurisë së vënë përmes kontrabandës apo evazionit fiskal, shtetasit shqiptarë apo të huajt me rezidencë fiskale në Shqipëri do të kishin mundësinë të deklaronin deri në 2 milionë euro për familje dhe t’i shpëtonin përgjithmonë përgjegjësisë penale apo administrative për krimet e kryera, përfshirë evazionin fiskal, mashtrimin me TVSH-në apo kontrabandën me mallrat e akcizës.
Ndërkombëtarët i dolën kundër kësaj nisme ligjore. Vetë shefja e FMN-së në Shqipëri Yan Sun kërkoi që qeveria shqiptare të ndryshojë ligjin për amnistinë fiskale për të shmangur pastrimin e parave dhe financimin e grupeve terroriste.