
SHKODËR- Policia e Shkodrës ka ndaluar mbrëmjen e sotme Safet Bajrin. Kjo pasi është kapur teksa qarkullonte me një mjet të blinduar, por pa autorizim. Sipas 'bluve' të Shkodrës, ndaj Bajrit u vendos gjobë, e po ashtu iu bllokua edhe makina tip “Mercedes Benz”.
NJOFTIMI I POLICISË:

Shërbimet e Policisë, gjatë zbatimit të planit të masave për parandalimin e kriminalitetit dhe për goditjen e paligjshmërive, në qytetin e Shkodrës, shoqëruan në ambientet e DVP Shkodër, një automjet të blinduar. Pas verifikimeve rezultoi se drejtuesi i automjetit, shtetasi S. B. alias S. R., banues në fshatin Dobraç, Shkodër, qarkullonte i papajisur me autorizim të lëshuar nga organi kompetent. Drejtuesit të automjetit iu vendos masë administrative, konform Kodit Rrugor, si dhe u zbatua masa plotësuese për bllokimin e automjetit tip “Mercedes Benz” dhe do nisin procedurat e konfiskimit.
Safet Bajri u arrestua në vitin 2018 në kuadër të operacionit “Oazi” gjatë një operacioni masiv policor të FNSH-së dhe RENEA-s të koduar “Oaz”, që çoi në arrestimin e 11 të fortëve, anëtarë të bandës kriminale “Bajri” në Shkodër. Por u lirua vetëm 1 vit më parë, pasi e kreu dënimin e tij./ZËRI