
TIRANË- Qeveria ka reflektuar ndryshime në ligjin për studentët e mjekësisë, të rrëzuar pjesërisht nga Gjykata Kushtetuese disa muaj më parë. Studentët e Mjekësisë kanë vijuar protestën duke dalë kundër projektligjit të ri ku parashikohet punë e detyruar, 3 vite pas përfundimit të studimeve. Por ky ndryshim ligjor ka ngjallur revoltë sërish tek mjekët e rinj, të cilët pretendojnë se edhe kësaj herë nuk janë pyetur për ndryshimin e ligjit.
"U informuam nëpërmjet mediave në lidhje me një projektligj të draftuar nga Ministria e Arsimit për ndryshimin e ligjit nr. 60/2023. Shprehim keqardhjen dhe indinjatën në lidhje me faktin që pavarësisht përpjekjeve tona, u injoruam për të dytën herë radhazi në procesin e hartimit të projektligjit. Duke pasur parasysh shkeljen e afatit të lënë prej Gjykatës Kushtetuese dhe mosplotësimin e boshllëkut ligjor në lidhje me kriteret për punësim, jemi duke u konsultuar me ekipin ligjor për të ndërmarrë gjithë hapat e nevojshme gjyqësore dhe kushtetuese. Çdo përpjekje për të na injoruar në vazhdim, do të marrë përgjigjjen tonë në çdo formë, ashtu si një vit më parë,"- kanë bërë me dije studentët nëpërmjet një deklarate që kanë shpërndarë për mediat.
Por çfarë vendosi Gjykata Kushtetuese?
Më 25 Janar të këtij viti, Gjykata Kushtetuese ka marrë vendimin për të ndryshuar pjesërisht ligjin për studentët e Mjekësisë. Në vendimin e marrë me shumicë votash, trupa gjykuese ka vendosur që kufizimi me 5 vite për të gjithë të diplomuarit nuk është propocional me afatet e shlyerjes së detyrimeve nga studentët ndaj shtetit. Pra, neni 4 i ligjit rezulton më i ashpër se sa nevoja dhe kërkohet që të ndryshohet brenda 3 muajve të ardhshëm nga Kuvendi i Shqipërisë.
Në rastet kur punësimi nuk realizohet brenda 3 muajve për shkaqe që nuk varen nga mjeku, deri në krijimin e mundësisë për punësim në institucionet shëndetësore publike, për një periudhë deri në 9 muaj, mjekut i lind e drejta të trajtohet me 80% të pagës së mjekut të përgjithshëm në kujdesin parësor.
Projektligji i ri për studentët e mjekësisë u miratua në muajin korrik të vitit të kaluar si masë për të frenuar largimin e mjekëve dhe infermierëve nga Shqipëria./ZËRI