Aktualitet

Pse vrau i moshuari çiftin në Dropull? Vrasësin e “tradhtoi” gota e rakisë, ende mister shkaku

Gjurma e ADN-së, e lënë një gotë rakie solli arrestimin e Thoma Mastorës.

k.m.
Pse vrau i moshuari çiftin në Dropull? Vrasësin e
Thoma Mastora

DROPULL- Mëngjesinë e të enjtes, vendi u "zgjua" me lajmin e vdekjes së dy të moshuarve në Dropull të Gjirokastrës. Burrë e grua, Kosta e Kleoniqi Ilia, 84 dhe 88 vjeç, u gjetën të vdekur në banesën e tyre. Njëri ishte në oborrin e banesës, ndërsa e shoqja dha frymën e fundit në korridorin e shtëpisë. Çifti jetonin vetëm dhe ishte shqetësimi i të motrës së 88-vjeçares që jetonte në Greqi, zbuloi ngjarjen e rëndë. Ajo u shqetësua pasi dyshja nuk iu përgjigjën në telefon dhe njoftoi një nga fqinjet për të kontrolluar. Por të dy u gjetën pa jetë.

Me zbulumin e ngjarjes, nisën edhe hetimet për të zbardhur të gjithë dinamikën. Kishte disa pista! Njëra lidhej me faktin që i moshuari, vuante nga probleme të shëndetit mendor, ndaj u hodh teoria se ai kishte vrarë të shoqen me sende të forta dhe më pas kishte ndërruar jetë për shkaqe natyrale në oborrin e shtëpisë. Megjithatë ekspertiza mjekoligjore zbuloi se edhe ai kishte dëmtime me një send të fortë, ndaj edhe humbi jetën.

Një tjetër version që qarkulloi dhe u rrëzua po aq shpejt ishte grabitja me dhunë. Por, në shtëpinë e tyre u gjetën rreth 5 milionë lekë të vjetra, të mbledhura nga pensioni i të moshuarve. Nëse dikush do t'i kishte qëlluar për t'i grabitur, do të kishte marrë paratë, ose të paktën do të kishte kërkuar për to. Por jo! Në banesë nuk kishte asnjë rrëmujë dhe asnjë shenjë të hapjes së dyerve me forcë. Kjo do të thoshte vetëm diçka: viktimat e njihnin vrasësin e tyre! 

Kështu që për sqarimin e ngjarjes, përgjatë 3 ditëve u shoqëruan dhe u morën në pyetje rreth 35 persona, të gjithë banorë të zonës që e njihnin çiftin. Disa pretendonin se të dy kishin marrëdhënie të mirë, e tjerë se Kosta ishte i dhunshëm për shkak të sëmundjes së tij. Por rrëfimet e tyre nuk sollën asgjë të rë për hetimet! "Çelësi" ishte në shtëpinë e viktimave. Gjurma e ADN-së, e lënë një gotë rakie solli arrestimin e Thoma Mastorës.

69-vjeçari që kishte lidhje të ngushta prej vitesh me dy të moshuarit ka qenë i fundit person që i ka takuar. Më 30 prill, ai shkoi në banesën e tyre për të kaluar pasditen, gjë që e bënte zakonisht. Por diçka ka shkuar keq. Aq keq, sa ai i ka vrarë të dy miqtë e tij. Deri më tani mendohet se sherri mund të ketë nisur me Kostën, dhe Kleoniqi është vrarë për të mos lënë dëshmitarë, por ende është e paqartë arsyeja. E vetmja shenjë që la ishte gota e rakisë që ishte në tavolinën e ndodhur në oborrin e shtëpisë, ku u gjend i pajetë edhe 84-vjeçari Kosta Ilia.

Ndërsa deri më tani, ende nuk ka folur për të treguar se çfarë e shtyu që të kryente vrasjen e dyfishtë me një sëpatë të vogël që kishte me vete. Por raportohet se 69-vjeçari ka pasur herë pas here konflikte me çiftin Ilia, megjithatë ato ishin zgjidhur dhe ruanin marrëdhënie miqësore.

Nga të dhënat e mbledhura nga të afërmit e viktimave, prej kohësh 88-vjeçarja ankohej te të afërmit e saj se 69-vjeçari i shqetësonte me praninë e tij. Por se përse nuk dihet. Thoma Mastora njihej si një njeri problematik në fshat, pasi ishte i dënuar disa herë për grabitje, megjithatë ky nuk ishte rasti. Çiftin e vrau, por nuk u prekur paratë që mbanin në shtëpi. Viktimat, tashmë prihen në banesën e tyre të fundit, të dy në një arkivol, ndërsa Mastora është i vetmi që mund të zbardhë ngjarjen. Pse i vrau burrë e grua në Dropull?/ZËRI

Poll

MOS HUMB