
TIRANË- Partia Socialiste ka rrëzuar këtë të martë kërkesën e opozitës që mbledhja e Komisonit të TIMS të zhvillohet me praninë e mediave. Toni Gogu u shpreh se kjo nuk mund të realizohet pasi në mbledhja ku do të raportojë i pari ministri i Brendshëm Taulant Balla do të diskutohen të dhëna sensitive që kanë të bëjnë me informacionin e klasifikuar. I pari që do të pyetet ditën e sotme është Balla, ndërsa pas tij do të vijojnë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe ish-drejtori i IT në Policinë e Shtetit, Ervin Muça.
Toni Gogu: Votimi ynë kundër zhvillimit të mbledhjes me dyer të hapura është në zbatim të atij vendimi që ne kemi marrë të gjithë se bashku për të zbatuar ligjin për informacionin e klasifikuar.
Çfarë ndodhi më mbledhjen e parë?
Në 15 maj në mbledhjen e mbajtur për hetimin e 'TIMS', dëshmitë u zhvilluan me dyer të mbyllura. Ishte Ministri i Brendshëm Taulant Balla, i cili dëshmoi i pari për rreth dy orë në Komisionin Hetimor për trajtimin e të dhënave të sistemit “TIMS” me dyer të mbyllura. Por për shkak të informacioneve të konsideruara si sekret hetimor dëshmia e tij u spostua. Pas tij dëshmoi Kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku i cili po ashtu kërkoi që dëshmia e tij në Komisionin Hetimor për TIMS të bëhet me dyer të mbyllura. Edhe ish-drejtori i IT-së në Policinë e Shtetit, Ervin Muça, i cili aktualisht ndodhet në arrest shtëpie, pasi akuzohet për kopjimin pa autorizim të të dhënave të sistemit TIMS, dëshmoi në Komisionin Hetimor gjatë mesnatës. Dëshmia e tij zgjati 30 minuta dhe kur doli u pyet nga gazetarët se kush e detyroi të merrte të dhënat e TIMS.
Hetimi i TIMS është paraprirë nga akuza dhe përplasje të ndërsjellëta mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa deputetë demokratë kanë paralajmëruar se të dhënat që do të zbulohet nga Komisioni, do të zbardhin shumë nga lidhjet e ministrave apo zyrtarëve socialistë me elementë të krimit./ZËRI