Aktualitet

Protestë në Memaliaj kundër bashkimit me Tepelenën, banorët bllokojnë aksin kryesor

Me pankarta në duar dhe thirrjen “Mos e prek Memaliajn!”, protestuesit kanë bllokuar përkohësisht aksin kryesor rrugor të qytetit, duke kërkuar që Memaliaj të ruajë statusin dhe identitetin e tij administrativ.

M.K.
Protestë në Memaliaj kundër bashkimit me Tepelenën,
foto nga memaliaj

MEMALIAJ- Banorë të Memaliajt kanë dalë këtë të shtunë në protestë kundër mundësisë së ndryshimeve në ndarjen territoriale dhe bashkimit të qytetit me Tepelenën. Me pankarta në duar dhe thirrjen “Mos e prek Memaliajn!”, protestuesit kanë bllokuar përkohësisht aksin kryesor rrugor të qytetit, duke kërkuar që Memaliaj të ruajë statusin dhe identitetin e tij administrativ.

Protesta u zhvillua në një kohë kur kryeministri Edi Rama ndodhej në Gjirokastër, ku zhvillonte një takim lidhur me reformën territoriale. Banorët synonin që përmes protestës t’i përcillnin drejtpërdrejt kreut të qeverisë kundërshtimin e tyre ndaj çdo skenari për bashkimin e Memaliajt me Tepelenën.

Megjithatë takimi me kryeministrin nuk u realizua, pasi Rama ishte larguar nga Gjirokastra me helikopter para se protestuesit të mund të përballeshin me të. Banorët shprehen kundër çdo ndryshimi që, sipas tyre, do të cenonte identitetin e Memaliajt dhe kërkojnë që vendimmarrja për hartën territoriale të marrë në konsideratë edhe qëndrimin e komunitetit.

Protestuesit kanë paralajmëruar se do të vijojnë të kundërshtojnë çdo nismë që prek statusin administrativ të qytetit, duke kërkuar që zëri i tyre të dëgjohet përpara marrjes së një vendimi përfundimtar./ZËRI

Poll

MOS HUMB