Aktualitet

Protesta e PD mbyllet me gaz e molotov, 18 të ndaluar, 11 efektivë në spitalin e Traumës, incident me shoqërimin e 1 të mituri

Përshkallëzimi i situatës me molotov ndodhi në përmbyllje të fjalimeve dhe pas largimit të liderit demokrat, Sali Berisha.

l.k
Protesta e PD mbyllet me gaz e molotov, 18 të ndaluar, 11 efektivë
Foto nga protesta

TIRANË- Protesta e organizuar nga Partia Demokratike para Kryeministrisë është mbyllur me përplasje dhe akte dhune mes protestuesve dhe forcave të rendit. Gjatë tubimit janë hedhur lëndë piroteknike, molotovë dhe sende të forta në drejtim të policisë, duke shkaktuar plagosjen e disa efektivëve.

Sipas të dhënave zyrtare nga Policia e Shtetit, 11 punonjës policie kanë mbetur të lënduar dhe janë transportuar në Spitalin e Traumës për ndihmë mjekësore, ndërsa disa prej tyre kanë marrë djegie dhe dëmtime nga mjetet piroteknike.

Pas përshkallëzimit të situatës, Policia ka ndërhyrë për shpërndarjen e turmës, duke përdorur gaz lotsjellës. Nga gazi, janë lënduar qytetarët e pranishëm por edhe punonjësit e medias, të cilët janë parë të raportonin me lot për shkak të efektit të lëndës së përdorur. Përshkallëzimi i situatës me molotov ndodhi në përmbyllje të fjalimeve dhe pas largimit të liderit demokrat, Sali Berisha.

Ndërkohë, janë ndaluar dhe shoqëruar 18 persona, të dyshuar për përfshirje në akte dhune dhe sulme ndaj forcave të rendit. Gjatë verifikimeve, njëri prej tyre ka rezultuar i mitur, çka ka shkaktuar reagimin e deputetëve demokratë të cilët kanë hyrë dje mbrëma brenda ambienteve të komisariatit nr.1, ku kërkuan takim urgjent me shefin e komisariatit. Gazment Bardhi, Besard Xhaferllari, Saimir Korreshi, Tomor Alizoti ishin në krye të përballjes me efektivët e Policisë. Jashtë komisariatit, Luçiano Boçi e Klevis Balliu shtyn dhe ofenduan disa punonjës së Shqiponjave gjatë kohës që janë afruar për të neutralizuar turmën.

Por kush ishte i mituri? PD deklaroi se i mituri ishte Romeo Kora. Prindërit e tij thanë për Euronews se 13-vjeçari punon afër bulevardit duke mbledhur kanaçe dhe se në momentin e ndalimit nga Policia ishte duke u larë pranë Xhamisë së Namaszgjasë. Pamjet e ndalimit:

Sakaq, Policia ka sqaruar se i mituri nuk është mbajtur në ambientet e shoqërimit, por ka qëndruar në zyrat e pritjes së qytetarëve deri në mbërritjen e prindërve, të cilët janë njoftuar menjëherë.
Ndërkohë që akuzat vazhdojnë./Zëri

Poll

MOS HUMB