Aktualitet

Prokuroria serbe heton Radoiçiç se bleu armë në Tuzla

Organi i akuzës serbe e akuzon Milan Radoiçiç për trafik armësh, ndërsa Kosova kërkon ekstradim

D.XH
Prokuroria serbe heton Radoiçiç se bleu armë në Tuzla
Radoiçiç

BEOGRAD – Autoritetet në Serbi po përpiqen që ta shfajësojnë Milan Radoiçiç për sulmin terrorist të ndodhur në Banjskë të Zveçanit dhe rolin e tij aktiv në këtë ngjarje të rëndë. Në akuzën e ngritur nga Serbia, thuhet se Radoiçiç akuzohet se ka blerë armë në Tuzla të Bosnjë Herzegovinës.

Në njoftim thuhet se ai u intervistua nën dyshimet se me disa persona të panjohur, kanë kryer vepra penale që lidhen me “prodhim, mbajtje dhe trafikim pa leje të armëve të zjarrit dhe lëndëve plasëse” si dhe me “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”.

“Milan Radoiçiç akuzohet se nga janari i vitit 2023 deri më 24 shtator ka blerë armë, municion dhe mjete shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzla, Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës, të cilat më së shpeshti janë dorëzuar në territorin e qytetit të Beogradit, në relacionin Bubanj Potok – Vërçin, dhe të cilat më pas i ka transportuar dhe ruajtur në lokalitete të pacaktuara në territorin e Kosovës, ku i ka fshehur në objekte dhe pyje të braktisura, kështu që si udhëheqës i një grupi me disa persona të panjohur, me veprim të përbashkët dhe një veprim përgjithësisht të rrezikshëm më 24 shtator ka shkaktuar rrezik për jetën e njerëzve në fshatin e Banjskës në territorin e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Lartë Publike të Beogradit.

Prokuroria serbe shprehet se Radoiçiç ka mohuar se ka kryer veprat penale, të cilat i ngarkohen. Ministria e Brendshme e Serbisë ka deklaruar se ka kontrolluar banesën dhe ambientet e tjera në pronësi të Radoiçiç dhe se atij i është komunikuar masa e ndalimit për 48 orë, nën dyshimin se ka kryer veprën “trafik armësh”.

MPB serbe ka thënë se Radoiçiç po ndiqet penalisht, por se nuk ka dhënë detaje. Më 29 shtator, Radoiçiç ka marrë përgjegjësinë për sulmin, përmes një letre të lexuar nga avokati i tij. Radoiçiç së bashku me persona të tjerë kanë qëlluar me armë ndaj Policisë së Kosovës, në fshatin Banjskë. Polici i Kosovës Afrim Bunjaku u vra nga shkëmbimi i zjarrit dhe tre terroristë serbë u ekzekutuan.

Ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Zveçla ka thënë se Kosova, përmes patrtnerëve ndërkombëtarë, do të kërkojë ekstradimin e Radoiçiç dhe të gjithë atyre, që janë përfshirë në planin për të sulmuar me armë Policinë e Kosovës. /Zëri.ai/ 

Poll

MOS HUMB