DURRËS- Banorët e prekur nga projekti Transformimi i Integruar i Durrësit (TID) të Durrësit dolën sot para Bashkisë, për të disatën herë, për të shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me situatën e pronave. Sipas banorwve, prej muajsh po jetojnw në ankth dhe pa informacion të qartë për pronat e tyre.
Protesta po zhvillohet përpara mbledhjes së radhës së Këshillit Bashkiak, ku banorët kërkojnë anulimin e projektit që rrezikon shembjen e banesave të tyre.
Banorët kanë ngritur shqetësimin për favorizime që, sipas tyre, bëhen ndaj banorëve dhe subjekteve të caktuar në lidhje me pushtetin.
Projekti i quajtur “TID, Transformimi i Integruar i Durrësit”, është një iniciativë që, sipas qeverisë, synon revitalizimin urban të zonës historike dhe është zhvilluar bashkërisht nga Qeveria, Bashkia e Durrësit dhe Fondacioni Shqiptaro‑Amerikan për Zhvillim (AADF). Qëllimi i këtij projekti është restaurimi i rrugëve, fasadave historike dhe krijimi i një hapësire turistike që integron monumentet arkeologjike me funksione bashkëkohore urbanistike.
Por për banorët e zonës, ky projekt nuk është vetëm një plan zhvillimi: ai është kërcënim real për shtëpitë, historinë familjare dhe vazhdimësinë e komunitetit autokton në këtë zonë.
Projekti i rijetëzimit të bulevardit historik “Epidamn”, i njohur si TID Durrës, parashikon shpronësimin e 74 familjeve durrsake, për të cilin qeveria ka akorduar një fond prej 315.5 milionë lekësh. Banorët kundërshtojnë vlerën e shpronësimit, pasi sipas tyre, është e pamundur që me këtë vlerë të blejnë një shtëpi./ZËRI