Aktualitet

PROFIL: Kush është i shumëkërkuari Adrian Ogiçi i arrestuar sot në Spanjë

Mbrëmjen e 17 qershorit 2015, Ardian Ogiçi së bashku me Vitor Islamin rrëmbyen me makinë tip “BMW X5” Ridvan Lamajn, në shëtitoren e qytetit të Sarandës.

l.k
PROFIL: Kush është i shumëkërkuari Adrian Ogiçi i
Adrian Ogiçi

SPANJË- Policia e Shtetit ka njoftuar se është arrestuar në Spanjë 40-vjeçari Adrian Ogiçi. Ai ishte i shpallur në kërkim pas dënimit me 20 vite burg për kryerjen e veprave penale “Rrëmbimi i personit” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”, të kryera në bashkëpunim.

“Vijon bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Në vijim të bashkëpunimit me partnerët për shkëmbimin e informacionit mbi vendndodhjen, kapjen dhe arrestimin me qëllim ekstradimi të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, është bërë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi, në Spanjë, i shtetasit Adrian Ogiçi, 40 vjeç, banues në Sarandë.

Ky shtetas është i dënuar me 20 vite burg për kryerjen e veprave penale “Rrëmbimi i personit” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”, të kryera në bashkëpunim”,- njoftoi sot Policia.

Por kush është Ardian Ogiçi?

Mbrëmjen e 17 qershorit 2015, Ardian Ogiçi së bashku me Vitor Islamin rrëmbyen me makinë tip “BMW X5” Ridvan Lamajn, në shëtitoren e qytetit të Sarandës. Të tre kanë pasur njohje të mëparshme dhe marrëdhënie shoqërore dhe sipas gjykatës ishin të përfshirë në trafikun e kanabisit drejt Greqisë.

Por si ishin të ndara rolet mes të njohurve?

Adrian Ogiçi ishte në rolin e financuesit dhe siguruesit të lëndës narkotike.

Vitor Islami dhe Ridvan Lamaj bënin transportimin e lëndëve narkotike, në këmbë, të ngarkuar vetë, jashtë pikave të kalimit kufitar, në territorin grek.

Pazaret mes palëve u prishën në një nga rrugët drejt shtetit fqinj për të transportuar lëndët narkotike. Viktor Islami dhe Ridvan Lamaj së bashku me një shtetas tjetër ishin nisur drejt Greqisë në orët e vona të natës. Persona të maskuar u kishin zënë rrugën për të grabitur sasinë e lëndëve narkotike.

Këtu nisën edhe dyshimet mes palëve.

Viktori dhe Ardiani akuzuan Ridvanin se kishte porositur personat që të kryenin grabitjen, ndërsa ky i fundit mohoi akuzat.

Pak ditë më pas, në pasditen e 17 qershorit 2015, Islami dhe Ogiçi shkuan në shtëpinë e Lamajt për të folur për këtë ngjarje, por nuk e gjetën në shtëpi. Gruaja e këtij të fundit u tregoi dy shokëve se Lamaj ndodhej në shëtitoren e qytetit bregdetar duke konsumuar kafen e pasdites. Më të ka folur edhe vetë i pandehuri Adrian Ogiçi dhe më pas ata janë larguar.

Ridvan Lamaj është takuar me Viktorin dhe Ardianin në shëtitore dhe më pas ka hipur në automjetin e 40-vjeçarit, duke u larguar nga qyteti i Sarandës, ku dyshohet se më pas u transportua drejt zonës së Xarrës në Konispol. Aty dyshohet të jetë ekzekutuar, pavarësisht se trupi i tij i zhdukur ende pas më shumë se një dekade nuk është gjetur.

Dy shokët e Ridvanit kishin planifikuar dhe organizuar rrëmbimin e tij, si shenjë hakmarrjeje për atë që kishte ndodhur në rrugën e fundit të transportit të lëndëve narkotike në Greqi. Sipas tyre, ata ishin të bindur se Lamaj kishte planifikuar grabitjen bashkë me personat që u kishin dalë para në rrugë.

Më 20 prill 2017, dy vite pas rrëmbimit, Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi me 39 vite burg në total Viktor Islamin dhe Ardian Ogiçin për rrëmbimin dhe më pas zhdukjen e Ridvan Lamajt. Islami u dënua me 19 vite burg, ndërsa Ogiçi u dënua me 20 vite burg. Në atë kohë ai jetonte në Belgjikë. Ogiçi nuk e kreu dënimin dhe deri më sot nuk u paraqit para institucioneve të drejtësisë për këtë ngjarje. Tashmë pritet ekstradimi i tij drejt Shqipërisë nga bashkëpunimi i autoriteteve spanjolle dhe shqiptare./ZËRI

Poll

MOS HUMB