Aktualitet

Pr/ligji për riprodhimin, kërkohet dëgjesë publike: Do kthehemi parajsë në trafikimin e qenieve njerëzore

Një prej folësve, Linda Pano është shprehur se vendi ynë nuk është gati të implementojë surrogacinë, për shkak se do të kthehet një treg të ri të trafikimit të çështjeve njerëzore. 

k.m.
Pr/ligji për riprodhimin, kërkohet dëgjesë publike: Do
Foto ilustruese

TIRANË- Projektligji “Për shëndetin seksual dhe riprodhues” ka ngjallur debate në Shqipëri. Sot, Koalicioni Shqiptar "Pro Familjes" ka shkuar pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Shërbimit Social, ku edhe ka dorëzuar një kërkesë për të zhvilluar një seancë dëgjimore me institucionin lidhur me çështjen. Edhe pse projektligji është bërë publik, ky koalicion pretendon se mendimi i tyre nuk është marrë në konsideratë. Një prej folësve, Linda Pano është shprehur se vendi ynë nuk është gati të implementojë surrogacinë, për shkak se do të kthehet një treg të ri të trafikimit të çështjeve njerëzore. 

"Kemi ardhur të dorëzojmë një kërkesë për seancë dëgjimore. Ju jeni njohur me pr/ligjin për riprodhimin dhe shëndetin seksual dhe është thënë nga ministria e Shëndetësisë që ka pasur dëgjesa publike, por në fakt nuk ka pasur asnjë dëgjesë publike deri tani. Ideja është që vajzat e vogla 16-vjeçare lejohen të abortojnë pa dijeninë e prindërve. Përveç kësaj, ky ligj e bën Shqipërinë një parajsë të vërtetë për surrogacinë dhe trafikimin e qenieve njerëzore,"-tha Linda Pano.

Koalicioni Shqiptar Pro Familjes dhe komunitetet fetare kanë kërkuar pranë Ministrisë së Shëndetësisë, seanca dëgjimore për konsultim me ekspertë, duke qenë se përveç surrogacisë, janë kundër edhe abortit që në moshë 16-vjeçare, pa praninë e prindërve. Para disa ditësh është mbledhur edhe këshilli ndërfetar të Shqipërisë me përfaqësues jo vetëm nga komunitete fetare por edhe mjekë, psikologë e sociologë të cilët kundërshtojnë disa pika të projektligjit siç është aborti, surrogacia dhe sterilizimi.

Ata kanë njoftuar se grupi i punës do të përpilojë një dosje me argumenta shkencore dhe teologjike, që do të diskutohet më pas në Komisionin e Ligjeve. Por kanë kohë që të kryejnë detyrën e tyre deri më 12 maj. 

Përveç abortit, përfshirja në projektligj i të drejtës së një gruaje për t’u bërë nënë zëvendësuese ka ngjallur mjaft debate. Nënë zëvendësuese quhet një grua që mbetet shtatzënë nëpërmjet një embrioni të krijuar me fertilizim invitro, dhe mban në uterusin e saj deri në lindje një fetus për llogari të një ҫifti tjetër, i cili e ka të pamundur të lindë fëmijë në rrugë normale. Aktualisht në Shqipëri fertilizimi invitro është rregulluar me ligj prej më shumë se dy dekadash, dhe kryhet thuajse tërësisht në institucionet shëndetësore private. Por në disa të tilla, edhe pse nuk parashikohet në ligj, prej disa kohësh kryhen edhe procedura të riprodhimit mjekësor të asistuar, me nëna zëvendësuese, ose siç quhet ndryshe “surrogacia”. Mjekja obstetër-gjinekologe Afërdita Manaj, e mirëpret përfshirjen në projektligj të kësaj teknike në shëndetin riprodhues, për t’i ardhur në ndihmë mirëqenies familjare dhe një gruaje që nuk mund të lindë.

Po ashtu, një prej aspekteve të tjera të projektligjit ku ndalen njohës të fushës së mjekësisë dhe të zhvillimeve shoqërore, lidhet dhe me rritjen e kohës për ndërprerjen e shtatzanisë, me dëshirën e gruas për arsye të ndryshme, nga 12 javë në 14. Ende janë të paqarta arsyet e këtij përkufizimi të ri ligjor, por eskpertët mendojnë se kjo shtyrje në kohë ngjall shumë diskutime pasi gjinia e fetusit bëhet e dallueshme dhe kjo mund të nxisë fenomenin e abortit selektiv.

Ministria e Shëndetësisë në një reagim publik pas qëndrimeve kritike mbi elementët e rinj që sjell projektligji “Për shëndetin seksual dhe riprodhues”, u shpreh se ky dokument i është nënshtruar konsultimit publik që do të ndihmojë në përthithjen e mendimeve të grupeve të interesit dhe garanton se në fund të këtij procesi projektligji do të reflektojë dhe përfundimet e nxjerra nga këto konsultime./ZËRI

Poll

MOS HUMB