TIRANË– Policia e Shtetit ka anuluar procedurën e konkurrimit për emërimin e drejtorëve të tre departamenteve kryesore të institucionit. Vendimi është bërë publik përmes një njoftimi të datës 28 korrik 2026.
Sipas Policisë së Shtetit, anulimi vjen si pasojë e ndryshimeve në ligjin nr. 82/2024 ‘’Për Policinë e Shtetit’’ dhe në kuadër të procesit të ristrukturimit të institucionit. Bëhet fjalë për konkursin e shpallur më 2 korrik 2026 për pozicionet e drejtorëve të Departamentit të Policisë Kriminale, Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, si dhe Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare.
Në njoftim theksohet se ndryshimet ligjore sjellin riorganizimin e strukturës së Policisë së Shtetit, ndaj procedura e konkurrimit është anuluar për të garantuar një proces të drejtë, transparent dhe me mundësi të barabarta për të gjithë kandidatët. Policia sqaron se konkursi do të rihapet pas përfundimit të zbatimit të plotë të ndryshimeve ligjore dhe ristrukturimit të institucionit. Vendimi vjen vetëm pak javë pasi ishte shpallur thirrja për aplikime./ZËRI