
TIRANË- Policia e Shtetit u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të kenë kujdes gjatë përdorimit të aplikacionit ‘Plinko’. Sipas Policisë, këto lojëra kanë për qëllim që të marrin numrat e llogarive bankare. Ky aplikacion i përdorur kryeisht nga nxënësit me qëllim për të fituar para, Policia u bën thirrje prindërve të jenë të kujdesshëm dhe mos të lejojnë fëmijët e tyre të përdorin këtë aplikacion. Ndërkohë, vetëm një ditë më parë, po Policia doli me një njoftim duke lajmëruar qytetarët që të mos klikojnë në 'links' që u vijnë në rrjetet sociale, të cilat janë të maskuara si mesazhe të kompanisë Meta Platforms. Në këto mesazhe pretendohet verifikimi i llogarive në Facebook ose në të kundërt, llogaria do të mbyllet, por qëllim edhe në këtë rast kanë marrjen e të dhënave personale dhe llogaritë bankare.
NJOFTIMI I PLOTË:
Policia e Shtetit
Apel për kujdes gjatë përdorimit të aplikacionit “PLINKO”! Kohët e fundit, në rrjetet sociale po reklamohen lojëra nëpërmjet të cilave fitohen para. Për ta bërë të besueshme, përdoren videot e njerëzve të famshëm që luajnë këtë lojë, gjë që në fakt është mashtrim. Ofruesit e lojërave kërkojnë numrat e llogarive bankare. Kjo është një skemë për marrjen e të dhënave të llogarive bankare, nga të cilat mund t’iu merren shuma monetare.
Nisur nga rastet e shtuara të përdorimit të këtij aplikacioni, kryesisht nga nxënësit, me qëllimin për të fituar para, Policia e Shtetit apelon për prindërit që të tregohen të kujdesshëm, për të mos lejuar fëmijët që të përdorin këtë aplikacion dhe në rastet kur ata e përdorin, të tregojnë kujdes, pasi duke dhënë të dhëna personale dhe të llogarive bankare, mund t’iu tërhiqen para nga llogaria juaj. MOS JEPNI TË DHENA PERSONALE! MOS JEPNI TË DHËNA TË LLOGARIVE BANKARE!/ZËRI