
COMANO- Në mëngjesin e Vitit të Ri, karabinierët italianë arrestuan një 40-vjeçar shqiptar, i cili akuzohet për grabitjen e disa banesave. Shqiptari i paidentifikuar me emër, ishte i arratisur dhe dënuar me 7.6 vite burg për grabitje është arrestuar pak orë pas festimeve të ndërrimit të viteve në Ponte Arche.
Operacioni është kryer nga njësia e Riva del Garda, e cila pikasi 40-vjeçarin teksa qëndronte në një hotel të zonës së bashku me familjen e tij dhe ku kishin festuar Vitin e Ri së bashku. Sipas mediave italiane, shqiptari ishte personi i fundit i listës së një grupi ‘skifterësh’ prej 4 personash, të cilët nga fundi i vitit 2019 deri në muajt e parë të 2020, kishin kryer dhjetëra vjedhje shtëpish dhe grabitje në provinca të ndryshme të Italisë së Veriut.
Pasi e gjetën në hotel dhe konstatuan ngjashmërinë fizike, e çuan në Komisariat ku edhe bënë krahasimin e gjurmëve të gishtave, të cilat dolën identike. Kështu, shqiptari u dërgua në burgun e Trentos, ndërsa gjatë kontrollit fizik dhe në shtëpi, iu gjetën edhe afërsisht 2 gram hashash të fshehura në një qese në dhomën e gjumit. Kjo gjetje e Policisë italiane do t'i shtojë edhe një tjetër vepër penale pasi do të denoncohet edhe si përdorues droge./ZËRI