
TIRANË- ZËRI zbardh mesazhet që këngëtari Luiz Ejlli ka dërguar, duke tentuar që të ndërhyjë lidhur me prishjen e një objekti pa leje të ngritur në Zogaj të Shkodrës. Një kallëzim i bërë kundrejt kreut të IMT-së Shkodër, Ervin Hoxha për shpërdorim detyre dhe korrupsion ka nxjerrë në skenë këngëtarin Luiz Ejlli, i cili shfaqet i angazhuar për të ndaluar aksionin që ishte ndërmarrë për të shembur të gjitha objektet pa leje. Kështu, Ejlli kishte tentuar që të ndërhynte tek kreu i IMT-së, Agim Ismaili, që kjo ndërtesë mos të prishej. Edhe pse ishte ndërtuar në një zonë të mbrojtur, e kategorizuar ‘Rezervat Natyror i Menaxhuar’.
Sapo është marrë vendimi për prishjen e objektit, Luiz Ejlli ka marrë me urgjencë kreun e IMT, Agim Ismaili dhe i ka kërkuar atij një takim, të cilin e ka zhvilluar po atë ditë.
"Më datë 17.10.2023 është telefonuar kryeinspektori i IKMT, Agim Ismaili nga Luiz Ejlli duke i kërkuar takim po atë dite duke e shprehur se e ka me urgjence nevojën e takimit. Nga ana e kryeinspektorit është pritur në ambientet e zyrës së IKMT rreth orës 19.00-20.00, takim përgjatë të cilit nga kryeinspektori në kuadër të transparencës mu kërkua dhe prezenca ime, natyrisht që mora pjesë, takim. Luiz Ejlli na u shpreh se nga punonjës të Policisë Shkodër është informuar se IKMT ka planifikuar prishjen e një objekti në Zogaj-Shkodër, me datë 18.10.2023. Luiz Ejlli na u shpreh se është bashkëortak në këtë ndërtim me disa miq të tij në Shkodër. Kërkoi që IKMT të mos ndërhynte në prishjen e tij pasi do e përfshinte në proces legalizimi."
Në këtë moment, Ejlli merr një person në telefon, të cilin nuk e zbulon me emër se për kë bëhet fjalë, i cili thotë fjalën e fundit, sigurisht duke kërcënuar. Në bisedën mes tij dhe këngëtarit, e cila po zhvillohej me zë të lartë, personi në anën tjetër të telefonit thotë: Nuk ka mbet' gjë tjetër veçse ta zgjidh me armë.
Nuk kaloi shumë dhe në datë 10 tetor të vitit të shkuar, godina ku Ejlli pretendohej se ishte ortak u shemb! Këtu nisën edhe mesazhet që ai dërgoi në telefonin e kryeinspektorit, Agim Ismaili dhe kësaj here jo duke "u futur mik", por duke trysnuar.
Në mesazhe i shkruante: "paske dërguar njerëz në fabrikat e e betonit"," "është mirë mos me e ndjek këtë çështje","po e bën personale".
Në orën 20.00 të datës 18.12.2023, Ismajlit i shkron tjetër mesazh në telefon me përmbajtje: Të fala nga objekti në Zogaj shumë. Dhe Luiz Ejlli të çon të fala, do këndoj për ty, flm, shumë respekt.
Pas shembjes së godinës, Agim Ismaili lirohet nga detyra e kryeinspektorit dhe në vend të tij më pas emërohet Ervin Hoxha, i cili shkarkon nga detyra të gjithë punonjësit që morën vendimin për prishjen e objektit në Zogaj.
Në kallëzimin thuhet se IMT nuk e identifikoi asnjëherë se për llogari të kujt po ndërtohej ky objekt, por kallëzuesi ngriti pretendime se ndërtesa ishte në të vërtetë e grupit të Bajrave, një grup kriminal me influencë në zonën e Shkodrës. Pretendohej se edhe Ejlli do të kishte pjesën e tij në ndërtim, por as ky fakt nuk është i provuar./ZËRI